SHKODER

I konsideruar si kreu i një grupi tejet të rrezikshëm kriminal që ka vepruar ndër vite në Shkodër e që mund të jetë një ndër subjektet që do t’i nënshtrohet ligjit famëkeq “41 biss”, ose ndryshe burgut të egër, Safet Bajri doli këtë të premte 6 orë në liri, për t’i dhënë lamtumirën e fundit babait të tij.

Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilat sqaruan se leja e veçantë për të paraburgosurin Bajri u dha vetëm pasi u mor edhe miratimi i prokurorisë për Krime të Rënda dhe asaj të Shkodrës.


Në shkresat e prokurorive, që disponon News24 miratohet leja që Safet Bajri të marrë pjesë në varrimin e të atit, por duke e konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, institucionet e akuzës kërkojnë nga burgjet që në bashkëpunim me policinë e shtetit të marrin masa për të siguruar mbarëvajtjen e zbatimit të lejes.


I konsideruari si i “forti” i Shkodër, Safet Bajri u nis drejt qytetit të lindjes rreth rreth 10:20 të paradites së të premtes për të mbërritur në varrimin e të atit rreth orës 13.00. Burime të besuara për News 24 thanë se jo vetëm policia kishte marrë masa sigurie, por edhe vetë familjarët janë kujdesur për këtë.


Këto pamje filmike të siguara nga News 24 në hyrje të Dobraç, dëshmojnë se policia ka qëndruar në gatishmëri përgjatë 6 orëve, duke patrulluar përgjatë gjithë kohës.

I paraburgosuri mësohet se ka shkuar fillimisht në banesën e tij, e më pas drejt varrezave, për tu kthyer pas gjashtë orësh dhe izoluar sërish në ambjentet e paraburgimit 313 në Tiranës.

Safet Bajri u vu në pranga në shtator të 2018 në zonën e Xhamllikut në kryeqytet. Ai dyshohet të jetë kreu i një grupi kriminal që kryente trafik droge, vrasje dhe trukim ndeshjesh. Rezulton se Bajri është dënuar edhe nga drejtësia belge për akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit, dënim të cilin po e vuan në Shqipëri.

(BalkanWeb)