TIRANE- Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri largohet nga detyra. Lajmi konfirmohet për mediat nga burime të besueshme qeveritare.

“BalkanWeb” mëson se Tahiri u drejtua sot me urgjencë drejt kryeministrisë për të zhvilluar një takim me shefin e ekzekutivit, Edi Rama.

Burime pranë qeverisë pohojnë për mediat se Tahiri pritet të dalë gjatë ditës së sotme për të deklaruar largimin nga detyra që mban prej tre vitesh. Të njëjtat burime pohojnë se ai nuk është dorëhequr por është shkarkuar nga detyra për shkak të vendimit të Ramës për t’i lënë në dorë vetëm drejtimin e PS-së së Tiranës.

Ministri Tahiri ka qenë ndër zyrtarët më të sulmuar nga opozita, e cila edhe gjatë ditëve të protestës ka lëshuar akuza në drejtim të tij. Nga ‘çadra e lirisë’ PD ka kërkuar disa herë dorëheqjen e Tahirit, pasi e akuzojnë si të lidhur me drogën. Tahiri është kritikuar ashpër edhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb