TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Burgjeve Enrik Sulejmani është shkarkuar nga detyra.

“BalkanWeb” mëson se shkarkimi i kreut të policisë së Burgjeve ka ndodhur për çështjen e Ervis Martinaj. Policia e Burgjeve nuk arriti ta marrë Martinaj nga spitali Amerikan 2 ku ndodhej i shtruar për shkak të plagëve që ka marrë në ngjarjen e 4 tetorit në Bllok.

Mbrëmjen e djeshme pati tensione mes mjekëve të spitalit Amerikan 2 dhe policisë së burgjeve të cilët kërkuan të shoqëronin Martinajn në spitalin e burgut. Mjekët e spitalit Amerikan 2 duke parë gjendjen shëndetësore të Martinajt nuk e firmosën fletëdaljen duke krijuar një situatë të tensionuar brenda ambienteve të spitalit.

Ndërkohë Ministria e Drejtësisë jep detaje për largimin e Sulejmanit nga detyra dhe përplasjen e ditës së kaluar për transferimin e Elvis Martinajt në spitalin e Burgut.

Në deklaratën shpërndarë mediave thuhet se Ministrja e Drejtësisë ka aprovuar propozimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve për largimin nga detyra të Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Enrik Sulejmani me motivacionin “Për mospërmbushje të detyrave funksionale”.

“Ky vendim është marrë për shkak të mosekzekutimit të vendimit nr.1878, datë 07.10.2018 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për vendosjen e masën së sigurimit “arrest me burg” për shtetasin Elvis Martinaj. Ky shtetas për shkak të gjendjes shëndetësore ishte akomoduar në ambientet e Spitalit Amerikan.” citohet në deklaratë ku ndër të tjera thuhet se bazuar në vlerësimin e Institucionit të Mjekësisë Ligjore ka rezultuar se në gjendjen shëndetësore në të cilën ndodhet i paraburgosuri, trajtimi i tij mund të kryhet në Qendrën Spitalore të Burgjeve.

“Për moszbatim të vendimit të gjykatës me masën e sigurisë ‘arrest në burg’ për Martinaj, është kryer shkarkimi i Drejtorit të Policisë së Burgjeve, Enrik Sulejmani, me motivacionin e mospërmbushjes së detyrave funksionale sipas ligjit në fuqi.Shtetasi Elvis Martinaj është shoqëruar në mjediset e Qendrës Spitalore të Burgjeve vetëm në mbrëmjen e datës 9 tetor. Qeveria Shqiptare siguron çdo qytetar se ligji është i barabartë për të gjithë dhe kushdo që bëhet pengesë për zbatimin e tij do të marrë përgjigje shembullore.” perfundon deklarata e ministrise.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb