Një autobot mësohet se ka shpërthyer në një karburant në autostradën Tiranë-Durrës.

Gazetarja Klodiana Haxhiaj raporton për Balkanweb se autobuti që ka marrë flakë ka pasur targat AA 627 IC. Autoboti i naftës mësohet se është djegur plotësisht.

Shpërthimi ka ndodhur teksa furnizohej pika e karburantit “Gega oil”.

Si pasojë e shpërthimit, është krijuar trafik mjetesh në autostradë.

Autoboti është larguar nga pika e karburantit dhe me ndihmën e zjarrfikësve, zjarri është shuar.

“Rreth orës 14:00, në autostradën Durrës-Tiranë, në një pikë karburanti, është përfshirë nga flakët një automjet që transporton karburant.

Për pasojë janë lënduar shtetasit Xh.K., 20 vjeç, banues në Kamëz dhe shtetasi E.P., rreth 35-vjeç, (të dy punonjës të karburantit), të cilët janë trasportuar në spital për ndihmë mjekësore.

Ndërhyrja në kohë e shërbimeve zjarrfikëse dhe Policisë ka izoluar flakët duke shmangur përfshirjen nga zjarri të çisternave me karburant.

Shërbimet e Policisë evakuan në kohë, personat e tjerë që ndodheshin rreth zonës në rrezik.

Zjarri është shuar tërësisht dhe lëvizja e mjeteve në të dy krahët e autostradës po vijon normalisht.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb