Një shpërthim me tritol është regjistruar në ambientet e jashtme të një lokali në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte në rrugën ‘Sali Butka’.

Gazetari Igli Çelmeta bën me dije për BalkanWeb se lënda plasëse është vendosur në derën e jashtme të lokalit, ku e gjitha dera prej xhami është thyer. Fatmirësisht nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar, ndërsa raportohet vetëm për dëme materiale. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar edhe dy biznese pranë lokalit.

Ende nuk dihet nëse personi që kishte në përdorim lokalin 40-vjeçari Armand Xhaferraj ka pasur konflikte, por policia po heton si pistë nëse ai ka pasur ndonjë konflikt kohët e fundit. 40-vjeçari e kishte me qira ambientin ku ushtronte aktivitetin bar-kafe. Në lokalin ku ndodhi shpërthimi nuk ka kamera sigurie, por policia ka sekuestruar kamerat e bizneseve shumë pranë lokalit me qëllim identifikimin e autorëve.

Pas shpërthimit, policia ka marrë në pyetje pronarin e lokalit, si edhe rojën e parkimit në pallatin përballë, i cili gjatë ngjarjes ka qenë në punë turni i tretë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb