GJIROKASTER- Policia e Shtetit dhe Forcat RENEA kanë njoftuar se 35-vjeçari, Kostandinos Kaçifa,  që hapi zjarr ndaj tyre ka mbetur i vrarë në Bularat të Gjirokastrës.

Lajmin për vrasjen e ka bërë publik Policia e Shtetit përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, ndërsa përshkruan të gjithë veprimet para se të ndodhte ekzekutimi i 35-vjeçarit.

Mësohet se gjatë shkëmbimit të zjarrit me Policinë e Shtetit dhe forcat RENEA,  35-vjeçari i vrarë, Konstantinos Kaçifas, ka marrë plumba në kokë dhe në gjoks, e për pasojë ka humbur jetën.

Çfarë njofton Policia e Shtetit:

“Në vijim të informacionit të dhënë më parë në lidhje me ngjarjen e ndodhur në fshatin Bularat ku shtetasi Kostandinos Kaçifa ka qëlluar me armë zjarri në ajër e më pas mbi Policinë ju informojmë se: Forcat RENEA janë vënë në ndjekje të tij. Në faqen e malit mbi depon e ujit të fshatit Bularat, shtetasi Kostandinos Kaçifa është lokalizuar nga forcat speciale.Forcat RENEA i kanë bërë thirrje të hedhë armën dhe të dorëzohet, por shtetasi Kaçifa nuk i është përgjigjur thirrjes së herëpashershme të policisë, por ka hapur zjarr me armë duke rrezikuar seriozisht jetën e efektiveve edhe për shkak të terrenit ku mundësia e mbrojtjes ishte e ulët.

Forcat RENEA janë kundërpërgjigjur dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vrarë shtetasi K. Kaçifa. Në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor ku vijojnë veprimet e tjera, nën drejtimin e Prokurorisë”, njofton policia.

Si ndodhi ngjarja:

Që prej paradites së sotme fshati Bularat i Gjirokastrës u ‘blindua’ nga policia, pasi kjo e fundit u vu në ndjekje të një 35-vjeçari grek që hapi zjarr ndaj mjetit të bluve. Gjithçka nisi rreth orës rreth 10:00, kur Kaçifa nisi të quante me armë zjarri në ajër, duke shkaktuar panik tek banorët e zonës, të cilët ishin mbledhur në qendër për të festuar festën e Greqisë, e cila si çdo vit po organizohej edhe në këtë fshat.

 

Menjëherë në drejtim të vendit nga vinin të shtënat kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilat ishin të dislokuara në qendër të fshatit pasi do zhvillohej aktivitet me rastin e festës së Greqisë. Burime zyrtare nga policia bënë me dije se shtetasi Kostandinos Kaçifa pasi ka parë shërbimet e policisë që po afroheshin në drejtim të tij ka hapur zjarr me breshëri ndaj punonjësve të policisë duke rrezikuar jetën e tyre.

Fatmirësisht nga të shtënat nuk pati punonjës policie të plagosur, por vetëm është thyer xhami i mjetit të tyre. Policia menjëherë ka rrethuar zonën ku përsëri i riu ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të policisë që po e ndiqnin.

Kaçifa u fut në thellësi të fshatit ku forcat “Shqiponja” dhe shërbimet e tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë vijuan krehjen e zonës për të bërë të mundur kapjen e tij. Në ndihmë të shërbimeve të Policisë së DVP Gjirokastër shkuan forcat speciale Renea, aksion ky që përfundoi me vrasjen  e 35-vjeçarit. . “BalkanWeb” mëson se autori ishte fshehur pranë depos së ujit në Bularat, ndërkohë që mes tij dhe policisë ka pasur shkëmbim zjarri. Po ashtu 35-vjeçari qëlloi herë pas here ndaj policisë pasi kur u largua nga vendi i ngjarjes kishte edhe tre karikatore me vete, ndersa me pas u vra nga policia.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

 

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb