DURRES

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në lagjen 15, në Spitallë të Durrësit. Një çift të moshuarish kanë rënë pre e dhunës brenda banesës së tyre, e për pasojë janë plagosur rëndë.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj bën me dije për “BalkanWeb” se ngjarja ka pak minuta që ka ndodhur. Persona të paidentifikuar kanë hyrë në shtëpinë e çiftit durrasak dhe i kanë masakruar e gjakosur. Dy të moshuarit janë gjetur të goditur në kokë nga fqinjët dhe janë dërguar në gjendje të rëndë në spital.

Pistat ku po heton policia janë dy. Filimisht nuk përjashtohet pista e grabitjes, por policia ngre pikëpyetje duke shtuar se si paratë ashtu edhe sendet prej floriri tç çiftit nuk janë marrë nga grabitësit. Policia thotë se plagosja mund të ketë ardhur si pasojë e një përleshje mes tyre dhe hajdutëve, të cilët në panik e sipër janë larguar pa marrë gjë.

Nga ana tjetër nuk përjashtohet mundësia që të moshuarit të jenë bërë për spital nga ndonjë i afërm apo fqinj i tyre. Prandaj blutë e Durrësit, kanë nisur në këto momente të marrin në pyetje banorët e lagjes periferike të Durrësit, për të zbuluar nëse kishin apo jo ndonjë konflikt të moshuarit me origjinë nga Pogradeci.

Në këto momente, siç raportoi gazetarja Klodjana Haxhiaj, burrë e grua po i nënshtrohen operacionit.

NJOFTIMI I POLICISE
Durrës
Informacion paraprak

Më datë 04.03.2019, rreth orës 19:35, në Urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës kanë shkuar shtetasit B.Y., 70 vjeç dhe Th.Y., 70 vjeçe , banues në lagjen 15 Durrës, jashtë rrezikut për jetën, të cilët janë goditur me sende të forta nga dy persona të paidentifikuar.
Ngjarja ka ndodhur në banesën e tyre në lagjen 15, ku autorët nuk kanë vjedhur asgjë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb