KORÇË

Policia e Korçës ka bërë të mundur arrestimin e katër personave, të cilët dyshohen si të përfshirë në veprimtarinë e paligjshme të shitjes dhe transportit të lëndëve narkotike.

Droga u gjet e fshehur në dy kamionë  dhe për këtë u arrestuan dy shoferët dhe dy bashkëpunëtorët e tjerë.

Ky arrestim vjen dy ditë pas bllokimit të lëndës narkotike në Kapshticë, e cila ishte fshehur mes krundeve dhe trafikantët kishin si qëllim transportimin e saj drejt shteti të Greqisë.

“Në vijim të informacionit, për goditjen e një tentative ndërkombëtare të trafikut të lëndëve narkotike, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë arrestuan në flagrancë 4 shtetas: A.S, 47 vjeç; Z.H, 56 vjeç; A.M, 50 vjeç; M.S, 30 vjeç.

Në dalje të Republikës së Shqipërisë u paraqitën 2 mjete, tip kamion. Gjatë kontrollit të imtësishëm si edhe skanimit të mjeteve, u gjet dhe sekuestrua një sasi 1074,2 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Nga kryerja e veprimeve të mëtejshme hetimore, u arrestuan drejtuesit e mjeteve dhe dy bashkëpunëtorë të dyshuar të tyre, si të implikuar. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan disa mjete, sasi monetare dhe telefona.

Materialet i kaluan për ndjekje Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë”, thuhet në njoftim.

(N.M/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb