Ka ndërruar jetë në spital Enea Thomaraj, i cili u plagos nga shpërthimi i tritolit në banesën e motrave Nikolli në Elbasan, ngjarje e ndodhur në 14 korrik të këtij viti.
Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetari Igli Çelmeta.
Enea Thomaraj, 26 vjeç, që prej datës 14 korrik ndodhej në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ai mbeti aksidentalisht i plagosur nga shpërthimi i një sasie tritoli që u vendos në mesnatë në hyrjen e apartamentit të fqinjit në pallatin ku ai jetonte.
Objekt i atentatit ishin dy motrat Nikolli që jetonin me qera në lagjen “Haxhias”. Tritoli ishte vendosur në korridorin e katit të 4-t të pallatit në derën e hyrjes në pronësi të njé 59 vjeçari, ku jetonin me qira motrat Nikolli, të cilat akuzuan Nuredin Dumanin si porositës të vendosjes së tritolit.
(BalkanWeb)