TEPELENE

Nën kërcënimin e armës një person ende i paidentifikuar ka grabitur një bankë të nivelit të dytë në Tepelenë (Në foto rruga para bankës së grabitur). “BalkanWeb” dhe “News 24” mësojnë se autori i grabitjes ishte një i vetëm. Ky shtetas mbante armë në dorë dhe nën kërcënimin e saj grabiti paratë e xhiros ditore që ndodheshin në arkë, shuma e së cilën nuk dihet ende.

Gazetarja Brikena Metaj raporton për “BalkanWeb” se policia e qytetit të Tepelenës është vënë në ndjekje të autorit të grabitjes. Paraprakisht mësohet se bëhet fjalë për një djalë të gjatë, i maskuar me kapuç i cili ka evituar patrullën e policisë në qarkullim para se të kryente grabitjen.

Mësohet gjithashtu se punonjësit e bankës kanë mbetur të tronditur dhe nuk kanë dhënë asnjë sinjal alarmi për të lajmëruar policinë në kohë.

Sakaq burime nga policia e Tepelenës konfirmojnë për “BalkanWeb” se:  “Në Tepelenë një person i maskuar dhe me armë ka hyrë në filialin e një banke të nivelit të dytë dhe nën kërcënimin e armës dyshohet se ka marrë lekët që ishin mbi banak. Nuk ka njerëz të dëmtuar”.

Blutë e Tepelenës kanë ngritur postoblloqe përgjatë gjithë akseve Tepelenë – Kakavijë dhe Tepelenë – Tiranë si dhe në drejtim të fshatit Salari nga mendohet se mund të jetë drejtuar grabitësi.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb