TIRANE – Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur masën “arrest me burg” për Vladimir Kurtin dhe Rruzhdi Hodën, lidhur me ngjarjen në Kamëz ku u vra Agim Buci dhe u plagos bashkëshortja e tij Rita Buci, pas tentativës për grabitje që u bë në dyqanin e tyre ushqimor.
Dy autorët akuzohen për “vjedhje me pasojë vdekjen”.
“Më datë 24.04.2018, i dyshuari Vladimir Kurti është takuar me të dyshuarin Rruzhdi Hoda dhe i ka thënë këtij të fundit se do të kryenin një punë bashkë, do të shkonin të vidhnin diku.
Vladimiri është afruar tek kasa e lekëve për të marrë lekët, ndërkohë që pranë kasës ndodhej fëmija i mitur i Agim Bucit. Rita kur ka parë Vladimiri tek kasa e maskuar e ka gjuajtur me produkte ushqimore. Në atë moment Vladimir ka gjuajtur duke e plagosur dhe gruaja është rrëzuar.
Direkt është afruar Agim Buci që u përlesh me Vladimir Kurtin, i cili e gjuajti me armë dhe atë. Pas ngjarjes të dy të dyshuarit janë larguar me vrap.
Ata kanë vrapuar të maskuar deri tek rruga Berisha. Para se të dilnin aty kanë hequr maskat dhe kanë vazhduar rrugën jo duke vrapuar,” thuhet në dosjen e Prokurorisë
(e.f/BalkanWeb)