SHKODËR

Zbardhet vrasja e dyfishtë, e ndodhur më 30 mars 2019, ku mbetën të vrarë dy vëllezërit Astrit dhe Ibrahim Bilali. Më pak se një mua nga ngjarja Policia e Shtetit deklaron se ka kapur autorët e vrasjes së rëndë që tronditi Shkodrën. Ibrahim Bilali, 61-vjeçar, ishte drejtues i shoqatës “2 Prilli 1992”, ndërsa vëllai i tij, Astriti 59-vjeçar, ishte kampion i garave të hipizmit.


Operacioni është zhvilluar me metoda speciale të hetimit nga DVP Shkodër, Drejtoria për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër

Në pranga kanë përfunduar dy persona si autorë të dyshuar të vrasjes dhe janë shpallur në kërkim dhe dy persona të tjerë. Ibrahim Lici dyshohet ekzekutori i dy vëllezërve.


Për zbardhjen e ngjarjes nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit u ngrit një grup i posaçëm hetimor në bashkëpunim me DVP Shkodër dhe nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër.


Si rezultat i një pune të mirëorganizuar nga ana e DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës Së Shkallës së Parë Shkodër, me mbështetjen e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, u zhvillua operacioni policor i koduar “Livadhe” duke u finalizuar me ekzekutimin e urdhrave të ndalimit, datë 25.04.2019, të lëshuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për ndalimin e shtetasve:

Arsen Stojku, 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”;

Myslym Rama, 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

U bë shpallja në kërkim e shtetasit Ibrahim Lici, 26 vjeç, si i dyshuari kryesor për veprën penale të vrasjes, si dhe e shtetasit D. B., 29 vjeç, për veprën penale të “Përkrahja të autorit të krimit”.

Policia vijon operacionin për gjetjen dhe kapjen e tyre.
Pas hetimeve intensive të kryera në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, rezulton se shtetasit e lartpërmendur kanë planifikuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim këtë vrasje.

Si rezultat i punës së vazhdueshme intensive me metodat speciale të hetimit, nga grupi i posaçëm hetimor, u bë sigurimi i provave materiale dhe shkencore, të cilat çuan në dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.
Gjatë veprimeve hetimore u bë sekuestrimi i një automjeti, tre aparateve telefonike celulare, të cilët janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprimeve të tyre.
Vazhdon puna për hedhjen dritë mbi motivin e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb