Në aksin rrugor Lushnjë-Rrogozhinë ka rëne zjarr në një magazinë të përpunimit të lëndës drusore. Pesë zjarrfijese ndodhen në vendngjarje në zonën e Qafës së Sokolit, pranë rreth rrotullimit të Çermës, për të vënë flakët nën kontroll.
Nuk ka lëndime në njerez, por dëmet materiale janë të shumta. Flakët janë përhapur me shpejtësi, për shkak të erës së fortë, duke bllokuar edhe qarkullimin e automjeteve në aksin rrugor Lushnjë-Rrogozhinë.
Policia është në vendngjarje për të disiplinuar trafikun.
Lajmin për zjarrin e madh e ka raportuar me video edhe deputeti i PS, Erion Braçe. Ndërsa, edhe policia ka njoftuar zyrtarisht detaje për zjarrin në Lushnje.
“Lushnjë/Informacion paraprak
Rreth orës 19:35, në vendin e quajtur “Qafa e Sokolit”, në aksin rrugor “Lushnjë-Rrogozhinë”, ka rënë zjarr.
Si pasojë e përhapjes së flakëve nga era, ka marë flakë dhe një biznes që merret me përpunimin e lëndës drusore.
Shërbimet e Policisë dhe zjarrëfikses ndodhen në vendngjarje për të fikur zjarrin, si dhe për menaxhimin e trafikut në aksin e bllokuar të rrugës.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të rënies së zjarrit”, njofton policia.
(Balkanweb)