TIRANË

Një lajm i hidhur për shtypin dhe gazetarinë shqiptare që nga sot do i mungojë një penë e artë.  Fatos Baxhaku ka ndërruar jetë në moshën 55-vjeçare. Ai vuante nga një sëmundje e rëndë.

Gazetari Baxhaku ishte një nga pionierët e shtypit të pavarur që nga fillimi i viteve 90. Autori i njohur i reportazheve të shkruara dhe televizive, studiues i historisë, një penë e mprehtë kritike e tranzicionit shqiptar.

Baxhaku ka lindur në Tiranë më 9 janar në 1964. Shkollimin e parë e kreu në shkollat asokohe 8-vjeçare, Emin Duraku dhe “20-vjetori”, (sot Dora D’Istria). Shkollimin e mesëm e kreu në gjimnazin “Ismail Qemali”. Përgjatë viteve 1982-1986 studioi në Universitetin e Tiranës në fakultetin e Histori-Filologjisë ku u diplomua në histori.

Në 1999-2000 ishte kryeredaktor i revistës së përjavshme “XXL”. Nga 2001 deri në 2005 ishte kryeredaktor dhe gazetar në televizionin “Vizion Plus”. Në 2006-2015 ishte kryeredaktor dhe gazetar në të përditshmen “Shqip”. Nga viti 2015 ka ushtruar gazetarinë në profesion të lirë.

Fatos Baxhaku është autor ose bashkautor i serialeve me reportazhe “Tunel”, “Rrugëtim”, “Shtëpi e Vjetër” si edhe i shumë dokumentareve televizive.

Ai ka qenë anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit si dhe bashkëpunëtor në shumë projekte trajnimi. Largimi i Baxhakut në një moshë të re ka tronditur familjarët, miqtë dhe kolegut e tij.  Puna dhe krijimtaria e gazetarit në median shqiptare  ishte frymëzim për shumë emra të rinj, të cilët synonin të ndiqnin rrugën e medias.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: