TIRANE

Agjencia Europiane e Mjedisit vlerëson se Tirana është një nga dhjetë kryeqytetet më të gjelbërta të Europës. Sipas listës së publikuar nga të dhënat e agjencisë, Tirana renditet në top 10-shen e kryeqyteteve me mbulimin më të madh urban me pemë, në bazë të popullsisë.

Tirana lë pas kryeqytete si Brukseli, Athina dhe Beogradi, por ndërkohë renditet e para mes kryeqyteteve të Mesdheut. Kjo është një arritje e rëndësishme për kryeqytetin shqiptar, i cili në 9 vitet e fundit ka përmirësuar ndjeshëm hapësirat e gjelbra, falë edhe ndërhyrjes me aksionet e vazhdueshme për mbjelljen e pemëve nga Bashkia e Tiranës.

Listën e kryeson Sarajeva, qytet i cili gjithsesi nuk është rritur në popullsi edhe pas luftës së 1994. Ndërsa, pas saj rendihen vendet baltike dhe skandinave, të cilat njihen për nivelin e lartë të gjelbërimit edhe për shkak të favorizimit të klimës.

Për lajmin ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili në një postim të tij në rrjetet sociale shkruan:

“Super lajm për Tiranën nga Agjencia Europiane e Mjedisit! Hidhi një sy këtij grafiku, për të mësuar se si Tirana listohet në top 10-shen e kryeqyteteve të Europës me mbulimin më të madh urban me pemë, duke lënë pas Athinën, Beogradin, Brukselin e plot qytete të tjera. Një arritje e jashtëzakonshme për gjithë punën e bërë në këto 9 vjet, me mbjelljen e pemëve të reja, si e vetmja mënyrë për të përmirësuar jetën e fëmijëve dhe të gjithëve. Eshtë edhe një përgjigje për shpotitjet e atyre që, çudi si nuk lodhen së djeguri goma duke ndotur mjedisin në qendër të Tiranës, por mazallah se kapin një lopatë me dorë! Forca”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: