TIRANË- Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati ka qenë sot në familjen e 23-vjeçarit të vrarë në Francë Florenc Beqiraj.

I shoqëruar nga deputeti i PS-së Luan Harusha, ministri Bushati i ka shprehur ngushëllimet familjes së Florencit ndërsa i ka siguruar se prokuroria franceze ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

“Jemi në kontakt të pandërprerë me autoritetet franceze, ministrinë e brendshme dhe të jashtme. Të presim përfundimin e hetimeve, të respektojmë vdekjen”, tha Bushati.

Ai deklaroi gjithashtu se qeveria merr përsipër shpenzimet për transportin e trupit të viktimës dhe sjelljen në atdhe.

“Prioritare për ne është që hetimet të shkojnë deri në fund dhe të zbardhen rrethanat”, theksoi ministri Bushati.

Ndërkaq mësohet se Bashkia e Shkodrës do i akordojë 5 milionë lekë të vjetra familjes së Florencit për mbulimin e shpenzimeve të ceremonisë mortore. Vendimi është miratuar sot unanimisht në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Florenc Beqiraj gjeti vdekjen në rrethana ende të paqarta në Marsejë të Francës, ndërsa ishte në pritje të kthimit në atdhe pasi u kap pa dokumente nga policia franceze. Ai qëndronte që prej 27 nëntorit në një qendër për emigrantët, ndërsa ishte përcaktuar që të kthehej më 15 dhjetor në Shqipëri, por më 14 dhjetor ai u gjet i mbytur me një tel në qafë si dhe me shenja dhune.

Pas qëndrimit për disa ditë në spital në gjendje kome, më 22 dhjetor mjekët në spitalin e Veriut në Francë i hoqën oksigjenin.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb