Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar pas deklaratës së ish-kreut të shtetit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç se ndaj tij ishte përgatitur një atentat për ta eliminuar fizikisht.

Kreu i PL thekson se lajme të tilla janë shqetësuese për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Meta shprehet se pas këtyre planeve qëndrojnë ata që vranë ish-kryeministrin serb, Zoran Gjingjiç dhe që tentuan grusht shteti në Mal të Zi.

Reagimi i Metës:
Lajmet për plane për atentate ndaj liderit historik dhe vizionar të Malit të Zi, ish-Presidentit, Milo Gjukanoviç janë tepër shqetësuese për vetë paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.

Prapa këtyre planeve qëndrojnë ata që dështuan në projektin e grushtit të shtetit atje vite më parë, që dështuan me projektet për ndryshimin e kufijve, ata që kërkojnë të minojnë të ardhmen euroatlantike të Malit të Zi dhe të rajonit.

Janë ata që ekzekutuan ish-Kryeministrin proeuropian të Serbisë, të ndjerin Zoran Gjingjiç.

Jemi pranë ish-Presidentit Milo Gjukanoviç, familjes së tij dhe Partisë Demokratike të Socialistëve të Malit të Zi, me besimin e plotë se Ai do të vazhdojë i palëkundur kontributet e vyera për përshpejtimin e proceseve integruese dhe europianizuese të Malit të Zi, për konsolidimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe për forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera fqinjësore shqiptaro-malazeze.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: