TIRANË
Ish-ministri i Drejtësisë në qeverisjen e Partisë Demokratike dhe njëherësh ish-deputeti i PD, Eduard Halimi, ka vendosur të angazhohet me partinë e tij në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
I kontaktuar nga gazetarja e “BalkanWeb” dhe “News24”, Klodiana Lala, Eduard Halimi ka konfirmuar se është emëruar koordinator i posaçëm politik i Partisë Demokratike.
Halimi ka theksuar për gazetaren Lala se ka pranuar propozimin e kryedemokratit Lulzim Basha për të marrë postin e rëndësishëm në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, që ka të bëjë pikërisht me administrimin e çështjeve zgjedhore.
Ai ka shtuar, mes të tjerash, për “BalkanWeb” dhe “News24” se do të koordinojë punën mes 12 drejtuesve të PD për zgjedhjet e 25 prillit në qarqe, ndërsa ka nënvizuar se nuk do të kandidojë për deputet.
I ardhur nga Shkolla e Magjistraturës, ku mban dhe titullin “Magjistratt”, dhe me përvojë në fushën e drejtësisë, Eduard Halimi ka mbajtur dy mandate deputeti në Kuvendin e Shqipërisë, nën siglën e PD, si dhe ka qenë nënkryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Shqipërisë.
(BalkanWeb)