Prej një ore e gjysmë kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka qenë në SPAK ku është marrë në pyetje nga prokurorët e posaçëm në lidhje me hetimet ndaj tij.

Burime për gazetaren Klodiana Lala, bëjnë me dije se Veliajt i janë komunikuar dyshime për një akuzë  të re, që lidhet me futjen e sendeve të ndaluara në qelitë e paraburgimit, vepër që lidhet me nenin 324 A/1 për futjen e sendeve të ndaluara në qelitë e paraburgimit.

Veliaj është duke u transferuar nga ambientet e SPAK drejt qelive të paraburgimit të Durrësit.

Kjo është hera e parë që kryebashkiaku i Tiranës merret në pyetje pas caktimit të masës së sigurisë arrest me burg nga gjykata dhe transferimit të tij në paraburgimin e Durrësit.

Kujtojmë se Veliaj akuzohet për veprat penale të “korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, në 9 raste si dhe “pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb