TIRANË
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, ka shkuar këtë pasdite në selinë blu. “BalkanWeb” mëson se Kurti ka zhvilluar një takim me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Në një reagim pas takimit, Basha thekson se i ka garantuar Kurtit “se nesër si kryeministër i Shqipërisë do të bëj gjithçka për të rritur dhe forcuar bashkëpunimin me Kosovën”.
“Prita sot me kënaqësi liderin e Lëvizjes Vetëvendosjes, kryeministrin në ardhje të Kosovës Albin Kurti. E urova për fitoren e zgjedhjeve parlamentare, dhe modelin që Kosova i dha Shqipërisë dhe gjithë rajonit për mënyrën e organizimit të zgjedhjeve edhe pse në kushte pandemie.
Biseduam për sfidat që ka përpara Shqipëria dhe Kosova. Nënvizova gjatë takimit me zotin Kurti nevojën jetike që ka Shqipëria për ndryshim në zgjedhjet e 25 Prill dhe e garantova se nesër si kryeministër i Shqipërisë do të bëj gjithçka për të rritur dhe forcuar bashkëpunimin me Kosovën në funksion të zhvillimit ekonomik, punësimit, njohjes së saj nga vende qe ende se kanë bërë si dhe antarësimit në institucionet ndërkombëtare”, shkruan Basha.
Takimi i Kurtit me Bashën vjen pas një dreke që kreu i LVV ka konsumuar me kryeministrin Edi Rama.
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Albin Kurti është takuar edhe me Presidentin Ilir Meta, si dhe ka zhvilluar takimet në zyrat e LVV në kryeqytetin shqiptar.
(BalkanWeb)