Kryeministri Edi Rama reagoi për herë të parë sot, pas arrestimit të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, me urdhër të SPAK. Meta ndodhet në “arrest me burg” prej të hënës në mesditë pasi Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj tij tre akuza, korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Rama tha se do të vazhdojë t’i përmbahet parimit të tij për të mos komentuar vendimet e drejtësisë.

Kreu i qeverisë tha se çështja e ish-partnerit të tij në koalicionin qeverisës 2013-2017 i takon vetëm drejtësisë.

Edi Rama: Unë asnjëherë nuk bëj komente të politikës së brendshme në gjuhë të huaj apo në prani të miqve të huaj. Që prej se ne kemi nisur reformën në drejtësi dhe ajo ka filluar të zbatohet, as unë dhe as forca politike që unë udhëheq nuk bën komente që i takojnë drejtësisë. Kur ndodh që çështjet të përmbyllen mbase në një rast ia vlen të bëhet ndonjë koment, sidomos kur vihet në vend drejtësia lidhur me fenomene katastrofike për shoqërinë siç është shpifja. Për rastin konkret është tipikisht një rast që i takon vetëm drejtësisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb