NGA KLODIANA LALA

TIRANE– Pas tri vitesh qëndrimi në “arrest shtëpie”, për atentatin e supozuar ndaj Tom Doshit, Durim Bami del në liri të plotë. Gjykata e Tiranës vendosi të shuajë masën e sigurisë për personazhin e shumëpërfolur, për shkak të përfundimit të afateve ligjore.

Vendimi u mor nga gjykatësi Bledar Abdullai, mbi bazën e kërkesës së bërë nga i pandehuri dhe mbrojtësi i tij.

Emri i njohur i botës së krimit, nisur nga numri i rekordeve të mëparshme kriminale, është marrë i pandehur nga prokuroria për akuzën e “kallëzimit të rremë”, kryer në bashkëpunim me deputetin socialdemokrat Tom Doshi dhe ish-deputetin Mark Frroku.

Çështja Doshi-Frroku-Bami, për të cilën do të duhej të kishte tashmë një verdikt gjyqësor, për afro tri vite u përcoll nga njëra gjykatë në tjetrën, për shkak ndryshimet ligjore të reformës në drejtësi lexoheshin ndryshe nga gjykata të ndryshme.

Në krye të herës, Gjykata e Lartë e ndërpreu shqyrtimin e çështjes dhe kërkoi mendim nga Gjykata Kushtetuese, nëse një deputet si Tom Doshi, mund të gjykohej në të njëjtin proces me ish-deputetin Mark Frroku.

Kushtetuesja vendosi t’i hapë dritën jeshile Gjykatës së Lartë, për t’i gjykuar bashkë tre të pandehurit, e në këto kushte çështja mbërriti sërish në Gjykatën Supreme.

Pasi mbeti pezull për një kohë të gjatë, për shkak të dorëheqjes së gjykatësve, procesi rinisi pranverën e 2017. Kolegji Penal asokohe pranoi kërkesën e prokurorisë për të thirrur si dëshmitarë të gjithë krerët e shtetit shqiptar.

Por duke qenë se në muajin gusht të vitit të kaluar, se hyri në fuqi Kodi i ri i Procedurës Penale, çështja “Doshi” kaloi nga gjykata e Lartë tek ajo për Krime të Rënda, por kjo e fundit shpalli moskompetencën dhe e ktheu dosjen sërish atje nga erdhi.

Pas një odiseje të gjatë, një muaj më parë dosja mbërriti në Gjykatën e Tiranës.

Seanca e parë është caktuar të zhvillohet me 15 maj dhe shorti ka përcaktuar gjykatësin Bledar Abdullai për shqyrtimin e saj.

Nisja e procesit pritet me mjaft interes pas zhvillimeve të fundit, kur Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi të shpallë non grata deputetin Tom Doshi. Ky i fundit, akuzohet se në bashkëpunim me ish-mikun e tij Marrk Froku e Durim Bamin, sajuan një skenar për vrasje, me qëllim krijimin e rrethanave për nisjen e një hetimit ndaj ish-kryeparlamentarit Ilir Meta.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb