Fredi Beleri do të dalë pasnesër nga qelia, ku po vuan dënimin nga GJKKO për shit-blerje votash. Leja për të nis që nga e hëna në orën 10:00.
Burime për BalkanWeb bëjnë me dije se Burgjet kanë miratuar tashmë lejen për të. Gazetarja Klodiana Lala raporton se leja për Belerin do të jetë 5 ditore, teksa pritet që eurodeputeti tashmë të vizitojë Strasburgun, ku edhe është “shtëpia” e Parlamentit Europian. Fredi Beleri do të betohet eurodeputet më datë 15 korrik.
Kujtojmë se Fredi Beleri u zgjodh kryebashkiak i Himarës në zgjedhjet e 14 majit 2023, por se u burgos për blerje votash. Duke qenë në qeli, Beleri u vendos kandidat për eurodeputet nga partia Demokracia e Re e kryeministrit Mitsotakis, në zgjedhjet europiane.
Fredi Beleri arriti të fitojë në zgjedhjet europiane, duke zënë një vend në Parlamentin Europian. Ndërsa, sa i përket Himarës, ku ai u zgjodh kryebashkiak dhe më pas u burgos për shit-blerje votash, do të ketë një përballje mes kandidaturave të qeverisë dhe të opozitës më 4 gusht.
(BalkanWeb)