Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit ka vendosur të konfiskojë pasuritë e Moisi Habiajt dhe familjarëve të tij.

Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodiana Lala, e cila thekson se vendimi është marrë nga gjyqtarja Irena Gjoka.

“BalkanWeb” sjell më poshtë pasuritë e Moisi Habilajt dhe familjarëve të tij, ku rezultojnë të jenë konfiskuar disa apartamente, truall, njësi, ndërtesë, garazh, si dhe disa makina të llojit “Audi”, “Ford” e “Skoda”.

Moisi Habilaj akuzohet për trafik ndërkombëtar droge, ndërsa sipas GJKKO, pasuria e konfiskuar kap vlerën e 82 440 285 (tetëdhjetë e dy milionë e katërqind e dyzet mijë e dyqind e tetëdhjetë e pesë) lekë të reja, të ndodhura në Vlorë.

Ndërkohë, gjykata ka hequr sekuestron për dy nga pasuritë në emër të familjarëve të tij. Gjithashtu, gjykata ka caktuar dy administratorë shtetërorë, Arjan Baci dhe Erjon Ricku, për të administruar dhe vënë në përdorim pasuritë e konfiskuara.

Vendimi i Gjykatës:

I. Konfiskimin e pasurive dhe kalimin ne favor të shtetit, deri në vlerën e pajustifikuar të shpenzimeve me të ardhura të ligjshme si më poshtë.
1. Pasuria 27/131-ND Z.K. 8605, vol.10 fq.32, e llojit ndërtesë me sipërfaqe 156m², e cila figuron në pronësi të shtetasit A. H. , i cili e ka blerë me kontratën e shitjes Nr.2688 Rep dhe 1787/2 Kol. datë 12.09.2014.
2. Pasuria 27/154-G, Z.K.8605, vol.37 fq.38, e llojit garazh me sipërfaqe totale 514m², e cila figuron në pronësi të shtetasit A. H. , i cili e ka blerë me kontratën e shitjes Nr.2689 Rep dhe 1788/2 Kol. datë 12.09.2014.
3. Pasuria 18/103-N9, Z.K.8604, vol.29 fq.9, e llojit apartament me sipërfaqe totale 285m², e cila figuron në pronësi të shtetasit A. , M. dhe F. H. , të cilët e kanë blerë me kontratën e shitjes Nr.2698 Rep dhe Nr.1345/1 Kol. datë 04.07.2011.
4. Pasurinë 21/7-N3/2, Z.K.8603, vol.61 fq.250, e llojit njësi me sipërfaqe totale 136 m², e cila figuron në pronësi të shtetasit F. H. ; i cili e ka blerë me kontratën e shitjes Nr.390 Rep dhe 167 Kol. datë 08.03.2017.
5. Automjeti me targë -XXXXXXX, e markës Audi, modeli A8, e vitit të prodhimit 2008.
6. Automjeti me targë – XXXXXXX, e markës Ford, Focus,e vitit të prodhimit 2002.
7. Automjeti me targë – XXXXXXX, e markës Ford, Focus,e vitit të prodhimit 2000.
8. Automjeti me targë – XXXXXXX, e markës Skod, Fabia, e vitit të prodhimit 2002.
9. Automjeti me targë – XXXXXXX, e markës Fiat Bravo, e vitit të prodhimit 2007

II.Pezullimin e pasojave të zbatimit të masës së konfiskimit, të pasurive të sekuestruara me vendimin Nr.379 datë 29.10.2017, të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, deri në dhënien e një vendimi gjyqësor penal për revokimin apo shuarjen e kësaj mase, për pasuritë si më poshtë:
-Pasuria 21/7-N3/2, Z.K.8603, vol.61 fq.250, e llojit njësi me sipërfaqe totale 136m², e ndodhur në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, e cila figuron në pronësi të shtetasit F. H. .
-Pasuria 27/131-ND Z.K. 8605, vol.10 fq.32, e llojit ndërtesë me sipërfaqe 156m², e ndodhur në lagjen “28 Nëntori”, Vlorë, e cila figuron në pronësi të shtetasit A. H. .

III.Revokimin e masës së sekuestros për pasuritë e tjera sekuestruar me vendimin Nr.20, datë 15.09.2018, të Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda.

IV.Në bazë të nenit 28 të ligjit 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” vendimi për konfiskim vihet në ekzekutim menjëhere pas shpalljes.

V.Për Administrimin dhe përdorimin e pasurive të luajtshme dhe paluajtshme të ngarkohet Z.Arjan Baci dhe Erion Ricku, administrator pranë Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara pranë Ministrisë së Financave, Tiranë.

VI.Urdhërohet kryesekretaria pranë kësaj gjykate që t’i komunikojë një kopje të këtij vendimi Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

VII.Kundër vendimit lejohet ankim brënda pesëmbëdhjetë ditëve, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke filluar nga dita e nesërme e shpalljes së këtij vendimi, dhe për palët nga e nesërmja e njoftimit, të këtij vendimi.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 18.06.2021

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb