Gjykata e Posaçme e Apelit ka liruar nga qelia ish-gjyqtaren e Krujës, Enkeleda Hoxha dhe sekretaren e gjykatës, Manuela Mallkuçi.
Lajmi bëhet i ditur për “BalkanWeb” nga gazetarja Klodiana Lala, e cila raporton se një ditë më parë gjykata e refuzoi lirimin, sepse nuk ishte plotësuar afati për shuarjen e masës së sigurisë.
Ish-gjyqtarja Enkeleda Hoxha akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Enkeleda Hoxha u dënuar me 3 vite burg nga shkalla e parë.
Çfarë zbuluan hetimet:
Gjyqtarja u arrestua bashkë me 9 persona të tjerë për korrupsion pasiv. Gjyqtarja akuzohet se kishte firmosur uljen e dënimit të shtetasit Saimir Petani i dënuar me 25 vite burg për vrasje të kryer në 1995 në Lushnjë dhe më pas i dënuar me 9 vite burg në Milano në 2003 dhe i ekstraduar në Shqipëri, ku vuante dënimin në burgun e Fushë-Krujës. Për uljen e dënimit që më pas do sillte dhe lirimin e të dënuarit për përmbushjen e afateve, Hoxha akuzohet se ka marrë një shumë parash bashkë me avokatin Aldo Tabaku. Ky i fundit rezulton pothuajse në të gjitha vendimet e dhëna nga gjyqtarja Hoxha.
Inspektorati i Lartë i Drejtësisë më herët ka bërë kërkesë për shkarkimin e gjyqtares Enkelejda Hoxha, pasi emri i saj lidhet me lirimin e shumë të dënuarve me burg përjetë, mes tyre edhe Endrit Dokle, Genc Tafilit, apo Hekuran Billa, i vrarë pak muaj më parë në Tiranë.
Gjyqtarja e Krujës, e cila ende pa dal në vetting, Enkelejda Hoxha, liroi nga burgu Indrit Doklen, i dënuar me burgim të përjetshëm, si anëtar i bandës së Durrësit, i akuzuar për disa vrasje, plagosje dhe krime të tjera.
Në nëntor të 2017-ës, ajo liroi Genc Tafilin, i përfshirë në vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit. Tafili kishte kryer 17 vite burg, nga 25 që ishte dënuar. Një tjetër lirim që mban firmën e gjyqtares Hoxha, është edhe ai i Ilir Pajës, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim. Paja njihet për disa nga arratisjet e tij në burgjet e Italisë dhe Gjermanisë. Paja u lirua disa ditë pas Tafilit.
Enkeleda Hoxha, në vitin 2018, po ashtu vendosi lirimin nga burgu të Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja. Ai u dënua me 1 vit burg, për dhunë të ushtruar ndaj Xhisiela Malokut, por gjyqtarja vendosi konvertimin e dënimit në shërbim prove.
(BalkanWeb)