Stomatologu Redjan Rraja, i afërt i deputetit socialist Rrahman Rraja, dyshohet të jetë një nga atentatorët tek Mbikalimi i Shkozetit, ku mbeti i plagosur prokurori i Durrësit Arjan Ndoj, shoferi i tij, Andi Maloku dhe Aleksandër Laho, i njohur me nofkën “Rrumi”, një personazh i shumëpërfolur i botës së krimit.

Ai u ndalua me urdhër të prokurorëve, Anton Martini e Besim Hajdarmataj, teksa tentoi të largohej nga Shqipëria nga pika kufitare e Hanit të Hotit për në Malin e Zi. 34-vjeçari Rraja u tradhtua nga shenjat e gishtërinjve që u gjetën në automjetin e braktisur në fshatin Shkafanë të Ishmit, i cili u përdor në atentat.

Gjurmët e gjetura në armët automatike si dhe në automjet u krahasuan me ato të personave të skeduar më herët dhe rezultuan se përputheshin me gjurmët e Redjan Rrajës, i skeduar për përfshirje në zhdukjen e provave te vrasjes së Elton Çiçës dhe cilësuar fajtor me vendim gjykate.

Zyrtarisht u tha se Rraja është njëri prej dy personave që qëlluan me breshëri plumbash makinën private të prokurorit Ndoj, i cili javët e fundit ishte objekt akuzash të forta nga kryeministri Edi Rama. I paqartë mbetet motivi, përderisa në pamje të parë nuk janë zbuluar konflikte të hapura mes Rrajës dhe personave të plagosur.

Ai ka mohuar përfshirjen në ngjarjen e rëndë, por prokurorët këmbëngulin se kanë prova të forta fajësie.

Dyshimet janë se i afërmi i deputetit ka vepruar për llogari të dy grupeve kriminale në Durrës, që janë në konflikt me të fortin e Sukthit, për cështjen e zaptimit të pronave në bregdet. Redjan Rraja konsiderohet nga hetuesit si një kontigjent me rrezikshmëri të lartë kriminale. Si bashkëpunëtorë të tij dyshohen dy persona të tjerë po nga Fushë-Kruja, që gjithashtu rezultojnë të kenë rekorde kriminale.

Në kuadër të këtij hetimi, që ka shumë të panjohura, Krimet e Rënda kanë marrë nga prokurroia e Durrësit, tri dosje mjaft të rëndësishme, atë të vjedhjes së postës sekrete, grabitjes së prokurorisë dhe dosjen e pronave të gjyqtarit të ndjerë të Vlorës, Skerdilajd Konomi. Disa fashikuj të këtyre dosjeve, sipas zyrtarëve të policisë, janë gjetur në makinën e prokurorit Ndoj, çka ngre dyshime të forta se ai po vepronte për llogari të Aleksandër Lahos.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb