Policia e Vlorës parandalon një ngjarje kriminale në familje, duke arrestuar një 39-vjeçar, i cili ka tentuar të vrasë vëllanë e tij.

Në pranga ka rënë shtetasi Gazmend Merkaj, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe ka kanosur me mjet prerës (hanxhar) vëllanë e tij.

Njoftimi i policisë:

Sekuestrohet një mjet prerës (hanxhar).

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas njoftimit se në lagjen “24 Maji”, në ambientet e banesës, shtetasi G. M. kishte ushtruar dhunë fizike dhe po kanoste me mjet prerës (hanxhar) vëllanë e tij, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës dhe ngjarjen e mundshme. Punonjësit e Policisë së Patrullës së Përgjithshme kanë bërë të mundur neutralizimin dhe prangosjen e shtetasit G. M., në banesë.

Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. M., 39 vjeç, banues në Vlorë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprën penale “Dhuna në familje”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb