TIRANE- Ambasada e SHBA reagon me anë të një deklarate pas vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor për ti hequr mandatin dy deputetëve, Aqif Rakipi nga PDIU-ja dhe Gledjon Rehovica nga LSI-ja.
Ambasada thekson se ky vendim është provë që tregon se procesi i dekriminalizimit i filluar dy vite më parë në Shqipëri vazhdon.
DEKLARATA
Ambasada e SHBA mirëpret vendimin e sotëm nga KQZ për t’iu hequr mandatet Aqif Rakipit dhe Gledion Rehovicës. Ky vendim është provë pozitive se procesi i rëndësishëm i dekriminalizimit, filluar në dhjetor 2015, vazhdon në Shqipëri.
MBLEDHJA SOT
KQZ në mbledhjen e sotme shqyrtoi informacionet shtesë të sjella nga Prokuroria e Përgjithshme për dy deputetët e Kuvendit, të cilët sipas organit të akuzës kanë fshehur ndalimet në shtetin italian dhe kanë përdorur gjeneralitete të rreme.
Në mbledhjen e datës 3 janar, anëtari i propozuar nga LSI-ja, Gezim Veleshnja dhe tre anëtarët e mbështetur nga Partia Socialiste, Denar Biba, Bledar Skenderi dhe Edlira Jorgaqi kanë bashkuar votat dhe miratuan shtyrjen e mbledhjes, për t’i lënë më shumë kohë Prokurorisë që të japë informacione shtesë për dy deputetët.
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve gjithashtu shqyrtoi edhe ndërprerjen e mandatit të për kryetarin e Bashkisë së Pogradecit Eduart Kapri.
KQZ vendosi t’i kërkojë Prokurorisë së Përgjithshme informacion shtesë për Kaprin.
Në informacionin që ishte dërguar në mbledhjen e sotme për kryebashkiakun e Pogradecit, thuhej se se Kapri ishte dëbuar nga Italia në vitet ’90, pasi një vendim i tillë ishte marrë më parë nga shteti gjerman për motive emigracioni.
Për këtë arsye, anëtarët e KQZ votuan që organi i akuzës të sjellë të tjera materiale dhe informacione për të sqaruar më mirë rastin e Eduart Kaprit, nëse dëbimi i tij nga Gjermani ka të bëjë me shkeljen e rregullave të emigracionit apo me kryerjen e ndonjë vepre penale.
(m.a/BalkanWeb)