Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj është paraqitur mëngjesin e kësaj të enjte në Prokurorinë e Posaçme, SPAK. Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.

Kryebashkiaku i Tiranës po hetohet për korrupsion pasiv nga prokurorët e posaçëm.

Disa ditë më parë ai deklaroi përmes një reagimi të shpërndarë për mediat, se SPAK po ushtronte hetim pasuror ndaj tij dhe familjarëve të afërt.

Veliaj tha gjithashtu se mirëpriste hetimet nga SPAK, ndërsa nga ana tjetër shtoi se pa një vendim gjyqësor prokurorët kishin trokitur në derën e shtëpisë së tij.

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj reagoi edhe ndaj deklaratave të kreut të PD-së Sali Berisha. Teksa Berisha tha se hetuesit e BKH-së kanë gjetur 230 mijë euro të fshehura në galerinë e bashkëshortes së kreut të Bashkisë Tiranë, Veliaj nuk i kurseu epitetet për kreun e PD, duke e quajtur “hienë të xhindosur”, “qenie të paskrupullt”, “kufomë të pakallur”.

“Që kjo hienë, e cila nginjet çdo ditë me pisllëqet më të ndyra që nxjerr nga goja, është fundërrina e fundërrinave të këtij kombi, tanimë këtë e di i madh e i vogël. Ai e ka nxirosur vetë portretin e tij para shqiptarëve, si varrmihës i zgjedhjeve të lira, si gardian burgu për liderin e opozitës në vitet ‘90, si zhytës i Shqipërisë në kaos dhe gjakderdhje për pushtetin e tij në ‘97, si minues i demokracisë dhe shantazhues i sistemit të drejtësisë, kur varrosi 26 shqiptarë të gjallë në biznesin e tij familjar në Gërdec, si shantazhues i shtetit shqiptar, kur u kap live duke vrarë në 21 janar, dhe sot si një pengmarrës i opozitës shqiptare, të cilën ka vendosur ta marrë me vete në varr”, ishte reagimi i Veliajt.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb