TIRANE– Ka ndërruar jetë mbrëmjen e sotme në moshën 83-vjeçare këngëtarja e njohur e muzikës së lehtë shqiptare, Anita Take. Pavarësisht se nga publiku njihet me emrin Anita, emri i saj i vërtetë është Anida. Lajmi për vdekjen konfirmohet nga familjarët e artistes shqiptare.

“Me keqardhje, në emër te familjes Prodani, ju njoftojmë largimin nga jeta te zonjës se nderuar Anida Take (Prodani), sot me date 12 janar, në moshën 83 vjeçare. Ndarja e saj nga jeta erdhi për shkaqe natyrore në shtëpinë e saj”- thuhet në njoftimin e familjes së këngëtares Anita Take. Familjarët njoftojnë gjithashtu se homazhet do të bëhen ditën e premte, date 13 janar, nga ora 11:00-12:00, ne hollin e Radio Tiranës. Funerali nis nga ora 12:00, prej andej për ne Varrezat e Sharrës. Familjaret do te presin vizita ngushëllimi ne mjediset e Hotel Mondial, duke nisur nga dita e shtunë në orën 10:00-14:00 dhe 16:00-20:00.

Këngëtarja u ngjit në skenë para 50-vjetësh, por vazhdon të kujtohet me nostalgji nga të gjithë ata që e kanë ndjekur karrierën e saj artistike. Anita Take vazhdon të kujtohet me nostalgji nga të gjithë ata që e kanë njohur atë. Ajo akoma ka mbetur në kujtesën e shqiptarëve dhe shumë këngë të saj akoma këndohen edhe sot. Këngëtarja e madhe me ëmbëlsinë e zërit dhe interpretimin e shkëlqyer në skenë, ka lënë gjurmë të thella në historikun e muzikës dhe të këngës shqiptare.

E lindur në një familje, që nuk merrej me muzikë, por që ishin shumë dashamirës dhe pasionantë ndaj saj, Anita Take do t’i jepte familjes së saj, atë që nuk ua kishte dhënë asnjë fëmijë dhe profesion tjetër. Por, krahas zërit dhe pasionit për këngën, ajo pati edhe një fat tjetër të bardhë në jetë, sepse u njoh dhe lidhi jetën e përjetshme me një nga kompozitorët më të shquar të muzikës dhe me themeluesin e muzikës së lehtë shqiptare, Agim Prodani. Kjo lidhje e saj me një artist dhe një mjeshtër të kompozicionit, bëri që Anita Take brenda një kohe relativisht shumë të shkurtër, të bëhej këngëtarja më e kërkuar për artdashësit shqiptarë.

Për kontributin e dhënë në muzikë dhe në këngë, ajo është dekoruar nga presidenti me titullin e lartë: “Naim Frashëri i Artë”. Pengu i vetëm për të, ishte se nuk arriti të filmohet, duke kënduar në vitet e saja më të mira. Ndër çastet më të bukura të jetës së saj, ajo veçon ditën kur u bë për herë të parë nënë, si dhe çastin kur bashkëshorti i saj, Agim Prodani i tha: “Të dua”.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: