Është ndërprerë për pak minuta seanca te Krimet e Rënda në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe ish-zyrtarit të lartë të policisë në Vlorë, Jaeld Çela.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “Balkanweb” se në dosjen për ish-ministrin Tahiri dhe ish-kryepolicin e Vlorës mungojnë disa nga provat kryesore.

Sipas gazetares Lala, në hyrje të seancës, gjykatësi i çështjes, Ardit Mustafaj, bëri disa saktësimeve që lidhen me disa prova, që citoi gjatë mbrojtjes ish-ministri Tahiri, duke thënë se ka informuar për çështjen e radarëve me gjashtë shkresa ministren e Mbrojtjes të asaj kohe, Mimi Kodhelin, por rezultoi se asnjëra nga këto shkresa nuk janë depozituar nga ish-ministri Tahiri dhe nuk janë sekuestruar nga Prokuroria. Nga ana e tij, Tahiri ka deklaruar se nuk i ka kërkuar këto si prova, por iu është referuar atyre për të konfirmuar personalitetin e tij.

Gjithashtu, gazetarja tha për “BalkanWeb” nga Krimet e Rënda se si provë në dosje mungon edhe një email i pretenduar nga Tahiri, që njëri nga zyrtarët e Policisë së Vlorës i ka dërguar njërit nga prokurorëve të çështjes, duke i informuar mbi grupin kriminal “Habilaj”, si trafikantë droge, për të justifikuar në këtë mënyrë faktin që i ka denoncuar ‘Habilajt’ kur ka qenë ministër i Brendshëm.

Edhe ky email nuk rezulton të jetë provë në dosjen gjyqësore ndaj ish-ministrit të Brendshëm dhe ish-drejtorit të Policisë së Vlorës. Gjithashtu, mungojnë edhe prova të tjera, që Tahiri i cilësoi si prova kyçe për të provuar pafajësinë e tij, siç ishte libri i hyrje-daljeve në Ministrinë e Brendshme, ku ka dyshime se ka pasur takim mes Tahirit dhe njërit prej pjesëtarëve të grupit “Habilaj”.

Për afro 30 minuta, avokatët e Jaeld Çelës kanë paraqitur të gjitha argumentet e mbrojtjes, ku sipas tyre, ai ka pas sukses në luftën kundër trafikut të drogës, gjatë kohës kur drejtonte Policinë e Vlorës.

Gjykata pritet të japë sot verdiktin final për ish-ministrin e Brendshëm. Ai akuzohet nga Prokuroria për “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’. Organi i akuzës ka kërkuar dënimin me 12 vite burg për ish ministrin e Brendshëm, dënim i cili ulet në 8 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb