Ndërron jetë në moshën 88-vjeçare Papa Francesku, dje uroi besimtarët për festën e Pashkës nga sheshi “Shën Pjetri”
21 Prill, 2025 13:01
Madhësia e tekstit:
Papa Françesku, i lindur si Jorge Mario Bergoglio në Buenos Aires të Argjentinës, ka ndërruar jetë më 21 prill në moshën 88-vjeçare.
“Të dashur vëllezër e motra, ju njoftojmë me pikëllim të thellë se Papa Françesku ndërron jetë,” tha kardinali Kevin Farrell përmes një njoftimi në kanalin televiziv të Vatikanit.
“Në orën 7:34 mëngjesin e sotëm, peshkopi i Romës, Françesku, u kthye në shtëpinë e Atit,” tha ai.
Si Papa i 266-të i Kishës Katolike Romake, ai ishte i pari prej kontinentit amerikan dhe i pari i lindur jashtë Evropës që u ngjit në krye të Selisë së Shenjtë, në më shumë se një mijëvjeçar.
Bergoglio, i biri i imigrantëve italianë, kishte punuar si teknik kimik para se t’iu bashkohej jezuitëve në vitin 1958.
Ai ishte shuguruar si prift më 1969 dhe ishte bërë udhëheqës superior i jezuitëve të një province të Argjentinës në periudhën 1973-1979.
Në vitin 1988, ai ishte emëruar peshkop i Buenos Airesit. Tre vjet më vonë, Papa Gjon Pali II e kishte ngritur atë në Kolegjin e Kardinalëve.
I zgjedhur Papë në vitin 2013, pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI, ai e zgjodhi emrin Françesk, për të nderuar Shën Françeskun e Asizit, duke pasqyruar angazhimin e tij ndaj përulësisë dhe të varfërve.
Periudha e tij në krye të Selisë së Shenjtë kujtohet për fokusin në mëshirë, në drejtësinë sociale dhe kujdesin mjedisor.
Në vitin 2015, Papa Françesku publikoi enciklikën Laudato si, duke bërë thirrje për veprim global për të luftuar ndryshimet klimatike dhe për kujdes ndaj ambientit.
Ai i kushtoi rëndësi edhe dialogut ndërfetar, duke nënshkruar Dokumentin për Vëllazërinë Njerëzore, bashkë me imamin e Al-Azharit në Egjipt, Ahmed el-Tayebin, në vitin 2019, një marrëveshje e rëndësishme për promovimin e paqes dhe bashkëeksistencës mes besimeve të ndryshme.
Papa Françesku u njoh për thirrjet për “një Kishë të varfër për të varfrit” dhe për afrim me komunitetet e margjinalizuara.
Ai bëri përpjekje për të reformuar sistemin financiar të Vatikanit dhe për t’i adresuar abuzimet seksuale të klerikëve brenda institucionit të Kishës.
Më 2025, ai publikoi autobiografinë Shpresa, duke ofruar më shumë hollësi për jetën e tij dhe misionin.
Në vitet e fundit, Papa Françesku ishte përballur me disa komplikime shëndetësore.
Më 2021, ai i ishte nënshtruar një operacioni në zorrën e trashë, ndërsa në vitin 2023 ka pasur një operacion tjetër për të trajtuar herninë.
Ai ishte përballur edhe me dhimbje kronike të gjurit dhe shpinës, dhe shpesh kishte përdorur karrige lëvizëse.
Pavarësisht këtyre komplikimeve, ai pati agjendë të ngarkuar dhe i kreu detyrat e një pape, si dhe udhëtoi nëpër botë.
Në fillim të vitit 2025, ai u shtrua në spital për shkak të një infeksioni në traktin e frymëmarrjes, çka më vonë i rezultoi me pneumoni të dyfishtë.
Gjendja e tij ishte e rënduar, duke e detyruar të qëndronte që prej 14 shkurtit në spital.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb