Partia Demokratike zhvilloi në Tiranë mosbindjen civile të katërt nga muaji tetor. Mbështetësit e opozitës u pozicionuan në 5 nyjet kryesore rrugore të kryeqytetit duke paralizuar qarkullimin, ndërsa kryetari i PD, Sali Berisha marshoi drejt shesheve të protestës duke nisur nga Rruga e Elbasanit ku ishte ndalesa e tij e parë. Skenari ishte i ngjashëm me protestat e mëparshme të zhvilluara prej 7 tetorit e deri tani. Rrugët e bllokuara ishin rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ai i Pallatit me Shigjeta, sheshi Wilson, Rruga e Elbasanit dhe segmenti ndërmjet ministrive dhe Bashkisë së Tiranës. Kjo mosbindje civile e opozitës  gjati 3 orë ndërsa u zhvillua në kushte atmosferike të pafavorshme, pasi reshjet e shiut vijuan me intensitet përgjatë gjithë ditës. Nuk munguan as incidentet dhe përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit. Te sheshi Wilson, Zogu i Zi dhe Bashkia e Tiranës protestuesit u shpërndanë më herët pas ndërhyrjeve të vazhdueshme nga ana e policisë. Ndërsa te Pallati me Shigjeta dhe Rruga e Elbasanit qarkullimi u mbajt i bllokuar deri në orën 20.00. Ra në sy përplasja e nënkryetarit të PD, Agron Gjekmarkaj me Policinë te Pallati me Shigjeta i cili për pasojë humbi ndjenjat dhe u dërgua te Spitali i Traumës për kujdes mjekësor.

ZHVILLIMET NGA PROTESTA MINUTË PAS MINUTE   

Ora 20.00 Opozita mbyll mosbindjen civile në Tiranë 

Ora 19.45 Policia shoqëron 15 protestues të opozitës
Policia e Tiranës ka shoqëruar 15 protestues të opozitës për bllokimin e rrugëve gjatë mosbindjes civile. Tubimi u shoqërua me incidente dhe përplasje të forta mes protestuesve dhe forcave të rendit të cilët ndërhynin herë pas here për lirimin e 5 rrugëve të bllokuara.

Ora 19.30 “Kudo t’i shihni gjuajuni me domate e vezë”/ Berisha: Dhuna ndaj Gjekmarkajt e organizuar, do triumfojmë

Lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha, në fjalën e tij në protestën e PD-së tha se demokratët, kudo që të shohin “kriminelët e qeverisë”, t’i godasin me domate e me vezë. Berisha theksoi se dhuna ndaj Agron Gjekmarkajt ka qenë e organizuar. Sipas tij, në fund PD do të fitojë.

Ora 19.25 VIDEO/ Agron Gjekmarkaj humb ndjenjat në protestë, PD: E goditi policia 
Agron Gjekmarkaj, nënkryetar i PD-së dhe i Kuvendit, ka humbur ndjenjat në protestë. Gjekmarkaj ndodhej në zonën e pallatit me Shigjeta, bashkë me deputetë dhe zyrtarë të tjerë të PD-së, në krah të qytetarëve që protestonin, në kuadrin e mosbindjes civile. Video e siguruar nga Balkanëeb tregon momentet kur deputeti Gjekmarkaj ka humbur ndjenjat, ndërsa PD akuzon policinë e shtetit për dhunën e ushtruar ndaj deputetit.

 

Ora 19.20 Salianji reagon nga burgu: Kryeministri ka bllokuar rrugët e Shqipërisë demokratike. Qeveria kujdestare krijon kushtet për zgjedhje të lira
Demokrati Ervin Salianji ka reaguar nga qelia 6, në lidhje me protestën e Partisë Demokratike. Salianji shprehet se Rama ka bllokuar jo vetëm rrugët e Tiranës, por të gjithë Shqipërisë së zhvilluar e demokratike. Salianji deklaron se qeveria kujdestare është zgjidhja për të pasur zgjedhje të lira e demokratike. “Me sundimin e tij Edi Rama ka asgjesuar zgjedhjet e lira, institucionet e pavarura çka ka sjellë rrënim të shtetit të së drejtës të lirive dhe garancive, të gjitha të replikuara nga çizmja me humor të luhatur e një individi. Vullneti i tij ka zëvëndësuar ligjin dhe ka prodhuar padrejtësi, pabarazi dhe ka larguar mijëra qytetarë”.

Ora 19.10 “Do përgjigjen një më një”/ Noka për dhunimin e Gjekmarkajt: Akt i paprecedent, është koha dhe radha jonë
Deputeti i PD-së Flamur Noka, në protestën e Partisë Demokratike deklaroi se ata që japin urdhra për të dhunuar deputetët dhe qytetarët do të përgjigjen një më një. Noka theksoi se dhunimi i Agron Gjekmarkajt është akt i paprecedent. Ai deklaroi se tashmë është koha e opozitës dhe kushdo që është përlyer në skena dhune e të tjera, do përgjigjet.

Ora 19.05 Berisha: Policia ka dhunuar fizikisht Agron Gjekmarkajn, do të mbajnë përgjegjësi personale…
Kreu demokrat, Sali Berisha, nga pika e Zogut të Zi, atje ku janë mbledhur mbështetës të opozitës në kuadrin e mosbindjes civile tha se Edi Rama dhe ministri i Brendshëm Ervini me 3 mbiemra do të marrin përgjegjësi personale për dhunën e ushtruar ndaj nënkryetarit të PD-së dhe Kuvendit, Agron Gjekmarkaj. Berisha shprehu solidaritet me Gjekmarkajn. Kreu demokrat i ka bërë thirrje policisë që të mos ndjekë urdhërat e Edi Ramës, por të zbatojë ligjin.

Ora 19.02 “Policia ka goditur një kryetar dege”, Çupi: Po sillen në formën më të keqe, protesta vijon deri në 20.00
Deputetja e PD-së Dhurata Çupi, e pranishme në protestën e Partisë Demokratike të sotme, deklaroi se policia po sillet në mënyrë barbare. Çupi u shpreh se protesta do të vazhdojë deri në orën 20:00.

Ora 19.00 Opozita 2 orë mosbindje civile në Tiranë, vijon të jetë i bllokuar qarkullimi në akset kryesore rrugore të kryeqytetit
Opozita vijon prej orës 17.00 mosbindjen civile në Tiranë. Teksa kanë kaluar 2 orë nga nisja e protestës, akset kryesore rrugore në kryeqytet vijojnë të jenë të bllokuara.

Ora 18.55 Policia tenton të shoqërojë qytetarin te sheshi Wilson, protestuesit ia marrin nga duart 

 

Ora 18.50 Policia ndërhyrje paralele në disa pika për të shpërndarë protestuesit

Ora 18.46 Sali Berisha mbërrin te rrethrrotullimi i Zogut të Zi
Kryetari i PD, Sali Berisha po zhvillon një “tur” në pikat ku opozita po proteston në Tiranë, duke bllokuar rrugët. Fillimisht lideri i opozitës u ndal te Rruga e Elbasanit. Më pas ai lëvizi drejt Bashkisë së Tiranës, sheshit ëilson dhe Zogut të Zi. 

Ora 18.41 Flamur Noka përplaset fizikisht me shefin e Komisariatit nr.1
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka është përplasur fizikisht me shefin e Komisariatit nr.1 në Tiranë. Ky i fundit kërkoi nga protestuesit të lironin Rrugën e Elbasanit, por ndeshi në rezistencën e mbështetësve të PD. 

Ora 18.35 Policia ndërhyn për të liruar rrugën te Bashkia e Tiranës
Forcat e Policisë kanë ndërhyrë me forcë për të larguar protestuesit nga rruga e bllokuar pranë Bashkisë së Tiranë. Mes protestuesve dhe uniformave të rendit janë shënuar edhe përplasje.

Ora 18.28 Policia ndërhyn për të shpërndarë protestuesit edhe te Bashkia e Tiranës

Ora 18.25 Pas Bashkisë së Tiranës, Berisha i drejtohet sheshit Wilson 

Ora 18.20 Tension e përplasje tek sheshi Uilson, deputeti Baçi: Policët më gjuajtën me grushte në bark
Tensione dhe përplasje janë shënuar tek Sheshi Uilson në Tiranë në protestën e PD-së. Deputeti Luan Baçi tha se policët e kanë gjuajtur me grushte në bark.

Ora 18.15 Policia tenton të shpërndajë protestuesit te “Zogu i Zi”
Policia ka ndërhyrë për të shpërndarë protestuesit te “Zogu i Zi”, të cilët kanë bllokuar rrugën prej orës 17.00. Uniformat blu ndeshën në rezistencën e mbështetësve të opozitës dhe u tërhoqën.

Ora 18.10 “1 milion shqiptarë jetojnë në varfëri”/ Xhixho: Vendi në gjendje të rëndë, kjo diktaturë duhet të shkërmoqet
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, teksa ndodhet në protestën e Partisë Demokratike, foli për mediat. Xhixho tha se 1 milion shqiptarë jetojnë sot në varfëri, sipas të dhënave të INSTAT. Ajo shtoi se vendi është në gjendje të rëndë, duke thënë se kjo diktaturë duhet të shkatërrohet.

Erisa Xhixho: Vendi është në gjendje të rëndë. 1 milion shqiptarë jetojnë në varfëri, sipas INSTAT. Çdo shqiptar do të luftojë në këtë betejë, për dinjitetin e tij.

Ora 18.05 Opozita 60 minuta mosbindje civile në Tiranë. PD: Protesta deri në 20.00, ndoshta edhe përtej
Kalon ora e parë e mosbindjes civile të opozitës në Tiranë, e cila parashikohet të zgjasë deri në orën 20.00.

Ora 18.00 Berisha largohet nga Rruga e Elbasanit, do t’i bashkohet protestuesve te Bashkia e Tiranës

Whatsapp Image 2024 12 23 At 18.03.08
Whatsapp Image 2024 12 23 At 18.03.08

Ora 17.55 Mosbindja civile, Blushi: Policia të mos provokojë protestuesit, ndryshe ka përplasje. Korreshi: Edhe breshër të bjerë ne jemi këtu 
Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Tedi Blushi nga PL, deputetët demokratë Saimir Korreshi dhe Luan Baçi, ndodhen krah protestuesve të vendosur në sheshin Wilson, atje ku prej 1 ore ka një bllokim të aksit rrugor. Tedi Blushi, Sekretar i Përgjithshëm i PL-së, tha se kemi një protestë paqësore.

Ora 17.50 Bardhi i përgjigjet policisë: Po na pengoni në të drejtën tonë për të protestuar
Kryetari i Grupit të PD, Gazment Bardhi, i cili është pjesë e protestës së opozitës që mbahet ditën e sotme në Tiranë, ka replikuar me forcat e policisë në terren duke iu kërkuar të merren me rregullimin e trafikut dhe jo me protestuesit e PD që siç tha, janë në të drejtën e tyre.

“Jemi të gjithë të barabartë. Po na pengoni, zbatoni ligin dhe devijoni trafikun, mos na pengoni në të drejtën tonë për tubim. Jeni duke penguar të drejtën tonë për të tubuar”, tha Bardhi.

Demokrati theksoi më tej se PD ka njoftuar policinë për protestën e sotme, duke shtuar më tej se nuk merret leje për të tubuar.

“Jemi të gjithë të barabartë. Po na pengoni, zbatoni ligin dhe devijoni trafikun, mos na pengoni në të drejtën tonë për tubim. Jeni duke penguar të drejtën tonë për të tubuar. Na lejoni të ushtrojmë të drejtën tonë për tubim. Punonjës të policisë që nuk dinë konceptin e lirisë së tubimi, ta mësojmë nuk merret leje në polici, e ka thënë Gjykata Kushtetuese, bëhet vetëm njoftim. Njoftimi është bërë. Policia të devijojë trafikun”, tha Gazment Bardhi.

Ora 17.40 Mosbindja civile/ Qytetarët bllokojnë rrugët, drejtuesit e mjeteve u bien borive. Kaos në Tiranë
Mbështetës të opozitës po protestojnë në 5 pika kyçe të Tiranës në kuadër të mosbindjes civile, ndërsa janë bllokuar akset kryesore të kryeqytetit. Bllokimi i akseve rrugore ka krijuar një kaos në qarkullimin e mjeteve, ndërsa nuk kanë munguar debatet mes drejtuesve të automjeteve që kanë mbetur të bllokuar në rrugë dhe qytetarëve protestues që nuk lejojnë kalimin.

Ora 17.30 Berisha i bashkohet protestuesve te Rruga e Elbasanit: Ky, dimër i vështirë për Ramën
Kryetari i PD, Sali Berisha i është bashkuar protestuesve në këto momente te Rruga e Elbasanit. “Ky dimër premton të jetë i vështirë si për argatin e Tiranës ashtu edhe për padronin e Beogradit. Edhe në Beograd studentët po dridhin nga themelet diktatorin. Edhe në Tiranë diktatori të ardhme nuk ka. Përshëndes ata demokratë që janë mbledhur sot nga të katër anët e vendit. Kjo mosbindje civile është në interesin e Tiranës dhe Shqipërisë. Ne nuk ndalojmë pa realizuar qëllimet tona për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.

Po nëse Rama nuk e pranon qeverinë teknike?
Berisha: Rrëzohet. Rrëzohet me mosbindje civile. Mosbindja civile është kodi i rrëzimit të diktatorëve. Deri tani kemi shfaqur 15 forma të mosbindjes civile.

Ora 17.25 Policia përsërit thirrjen drejtuar protestuesve: Po kryeni veprime të paligjshme. Largohuni nga rruga

Ora 17.20 PD shpërndan pamjet nga bllokimi i rrugëve në Tiranë

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Ora 17.15 Bllokimi i rrugëve, Bylykbashi: Nuk ka asnjë vepër penale, po ushtrojmë të drejtat Kushtetuese
Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se bllokimi i rrugëve nuk përbën asnjë vepër penale. E ndërsa Policia e Shtetit i ka bërë thirrje qytetarëve që kanë bllokuar rrugët që t’i lirojnë ato, duke i kujtuar se kjo është vepër penale, deputeti demokrat tha se opozita dhe mbështetësit e saj po ushtrojnë një të drejtë kushtetuese.

“Ne kemi njoftuar Policinë e Shtetit për protestën. Është detyrë ligjore e drejtuesve të Policisë që të njoftojnë zinxhirin e tyre për këtë protestë. Nuk ka asnjë vepër penale, pasi ne po protestojmë bazuar në të drejtën tonë kushtetuese. Bllokimi i rrugëve nuk përbën asnjë vepër penale”, tha Bylykbashi.

Ai paralajmëroi drejtuesit e Policisë së Shtetit që të respektojnë ligjin dhe të drejtat kushtetuese të opozitës dhe qytetarëve të saj.

Ora 17.12 VIDEO/ Bllokohet edhe Zogu i Zi, protestuesit konfrontohen me shoferët e makinave
Ka nisur edhe bllokimi i Zogut të Zi. Protestuesit po konfrontohen me shoferët. Protestuesit kanë thirrur në kor “Rama ik, Rama ik”. Gazetari Renaldo Salianji raporton për News24 se në vendngjarje kanë arritur edhe forcat e policisë. Policia pritet që të bëjë thirrje, që protestuesit të mos bllokojnë lëvizjen e automjeteve.

Edhe rrugë të tjera janë bllokuar nga protestuesit në Tiranë.

Ora 17.10 Policia thirrje me megafon protestuesve: Lironi rrugët. Është vepër penale
Policia i ka bërë thirrje me megafon protestuesve që të lirojnë rrugët e bllokuara në Tiranë. Policia i ka kujtuar mbështësve të opozitës se bllokimi i rrugëve përbën vepër penale. Në këto momente qarkullimi është ndërprerë te Zogu i Zi, Pallati me Shigjeta, Rruga e Elbasanit, Bashkia e Tiranës dhe sheshi Wilson.

Ora 17.05 Berisha pritet t’i bashkohet protestuesve te Rruga e Elbasanit
Kryetari i PD, Sali Berisha do të marrë pjesë në protestën e opozitës për herë të parë pas lirimit të tij nga arresti shtëpiak. Pritet që Berisha t’i bashkohet protestuesve te Rruga e Elbasanit. 

Ora 17.00 Opozita nis mosbindjen civile në Tiranë, me çadra në duar protestuesit bllokojnë rrugët

Me kushte atmosferike të papërshtashme, mes shiut dhe të ftohtit, protestuesit e opozitës kanë nisurt bllokimin e rrugëve në Tiranë. Mbështetësit e PD mbajnë në duar çadra, ndërsa qarkullimi në këto momente është paralizuar në 5 akse kryesore rrugore.

Rrugët që bllokohen:

Zogu i Zi
Pallati me Shigjeta
Rruga e Elbasanit
Bashkia e Tiranës
Sheshi Wilson

Ora 16.50 Berisha do të prijë protestuesit për herë të parë pas lirimit nga arresti i shtëpisë
Risia e kësaj proteste është pjesëmarrja e kreut demokrat, Sali Berisha, i cili vetëm pak javë më parë fitoi lirinë, pasi GJKKO i hoqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” pas 333 ditësh izolim.

Ora 16.40 Policia: 1400 efektivë në terren për protestën e opozitës
Lidhur me protestën e opozitës në terren janë angazhuar 1400 forca policore, që do të jenë të shpërndara në 5 pikat ku protestuesit do të mblidhen.

Pikat ku do të protestohen janë: Bashkia e Tiranës, pallati me Shigjeta, Zogu i Zi, Ura te rruga e Elbasanit dhe sheshi Ëilson. Këto segmente pritet të jenë të bllokuara nga ora 17:00 deri në orën 20:00.

Kjo është protesta e 4 në kuadër të mosbindjes civile që zhvillon opozita prej muajit shtator.

Ora 16.30 Opozita, 4 mosbindje civile prej 7 tetorit
Opozita ka organizuar 4 mosbindje civile bashkë me këtë të ditës së sotme. Protesta e parë ndryshe e PD dhe aleatëve ishte ajo e 7 tetorit 2024, pas burgosjes së Ervin Salianjit, ndërsa disa ditë më herët deputetët dogjën karriget e Parlamentit. Pasditen e 7 tetorit deputetët e PD dhe protestuesit marshuan në këmbë në disa rrugë të kryeqytetit, pa fjalime, ndërsa hodhën bomba molotov drejt selisë së PS. Protesta e dytë ishte ajo e datës 29 tetor me bllokimin e 7 kryqëzimeve kryesore të vendit.

Ndërsa në 26 nëntor, mosbindja civile u rikthye në kryeqytet me bllokimin e 5 hyjeve kryesore të Tiranës.

Edhe e sotmja pritet të jetë shëmbëlltyrë e protestës së 26 nëntorit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb