Prokuroria e Tiranës ka vendosur ta kalojë dosjen e bujshme të pengmarrjes dhe vrasjes makabre të Janë Prengës në duart e Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

49-vjeçari Prenga u mor peng më 17 janar, në Kamëz, dhe u torturua deri në vdekje nga autorët. Ndërkohë, policia vijon kërkimet për gjetjen e trupit të tij të pajetë, i cili dyshohet se është groposur në zonën e Shijakut.

Deri më tani, pesë persona janë arrestuar për rrëmbimin dhe vdekjen e 47 vjeçarit, i cili u rrëmbye pranë banesës së tij në zonën e Kamzës.

Në pranga kanë rënë shtetasit Leonard Hajri, 36 vjeç, (i dënuar më parë), babai i tij, Bajram Hajri, 64 vjeç, kushëriri Elton Hajri, 32 vjeç, një tjetër anëtar i familjes me inicialet F.Xh. dhe shoku i tyre, Olsi Turja, 36 vjeç, të gjithë banues në Shijak. Në kërkim është shpallur nga policia, vëllai i Leonardit, Altin Hajri, pronar i kompleksit “Golden” në Shijak, prej ku u nxor trupi i pajetë i Prengës, që më pas u zhduk nga autorët.

Ndërkohë, policia ka identifikuar e shpallur në kërkim edhe tre persona të tjerë, të dyshuar si autorë të pengmarrjes së 48-vjeçarit Jan Prenga.

Burime nga Policia thanë ditë më parë se bëhet fjalë për tre të rinj nga Shkodra, që dyshohet të jenë pjesë e “grupit të Dukagjinit”, shtetasit Aldo Majnishta, 26 vjeç, Ardian Doçaj, 32 vjeç, dhe Artan Doçaj, 36 vjeç.

Urdhri për pengmarrjen dhe vrasjen e Jan Prengës u dha nga një burg në Ekuador, ku vuan dënimin shqiptari Dritan Rexhepaj, një personazh i rrezikshëm i botës së krimit, i lidhur me bandat kriminale në Britani e Shqipëri, dhe që cilësohej si “truri” i skenarit të këtij krimi.

E gjithë ngjarja makabre ndodhi, për shkak se vëllai i Jan Prengës nuk kishte dorëzuar një sasi prej 300 kg kokainë kolumbiane te grupet kriminale.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: