KRUJË
Është djegur gjatë natës, në qytetin e Krujës, një makinë tip “BMW” seria 1. “BalkanWeb” mëson se makina është në pronësi të sekretarit të gjyqtares Enkeleida Hoxha, Igli Kani.
Makina ndodhej e parkuar në parkingun e qytetit, në afërsi të banesës së sekretarit të gjyqtares. Rreth orës 23:00 të mbrëmjes së kaluar, makina është konstatuar në flakë dhe është njoftuar menjëherë zjarrfikësja, e cila ka ndërhyrë, duke shuar flakët.
Sipas burime, makina është lyer me naftë dhe i është vënë flaka. Zjarri është konstatuar nga nëna e Igli Kanit. “News24” dhe “BalkanWeb” kontaktuan me sekretarin e gjyqtares, i cili nuk pranoi të prononcohet, por tha se nuk ka probleme apo konflikte me njeri.
Kujtojmë se gjyqtarja Enkeleida Hoxha është arrestuar dhe është pezulluar nga detyra, pasi nga hetimet disamujore të SPAK rezultoi se ajo ndikonte në lirimin e personazheve të njohur të botës së krimit.
Njoftimi i policisë:
Më datë 18.02.2021, në orën 22:55, në Krujë, ka marë flakë dhe është djegur pjesërisht mjeti tip “BMW”, në pronësi të shtetasit I. K., 28 vjeç, banues në Krujë.
Paraprakisht dyshohet se ngjarja mund të ketë ndodhur aksidentalisht.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të zjarrit.
(BalkanWeb)