Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka njoftuar se në mbledhjen e qeverisë, është marrë vendimi që familjet në nevojë do të marrin shpërblim për fundvit, një shumë prej 150 eurosh.

Ajo theksoi së përfitues do të jenë këto kategori: familjet në nevojë, fëmijët jetimë dhe personat invalidë e kujdestarët e tyre.

Nga kjo skemë përfitojnë 275 mijë familje.

“Me vendimin e fundit të qeverisë shqiptare, u akordohet një shpërblim për festat e fundvitit kësaj kategorie. Për 275 mijë familje dhe individë që përfitojnë nga skemat e programit social, janë pikërisht 15 mijë lekë apo 150 euro që i akordohen familjeve në nevojë, fëmijëve pa kujdes prindëror, individëve që kanë statusin e para apo tetraplegjikë, si edhe statusin e të verbërve”, u shpreh ministrja Koçiu.

Fondi i akorduar nga mbledhja e qeverisë për këtë shpërblim është 2.1 mld lekë.

Ministrja Koçiu theksoi gjithashtu se ky fond është një vendim solidariteti për gjithë individët dhe familjet shqiptare.

“Për herë të parë këtë vit marrin shpërblimin kujdestarë të këtyre personave që përfitojnë nga skema e Mbrojtjes Sociale. 18 mijë ndihmës dhe kujdestarë për personat me aftësi të kufizuar do të marrin shpërblimin e fundvitit. Është një fond i akorduar nga buxheti i shtetit dhe është afro 2.1 miliardë lekë, që do të shkojë për të gjithë familjet dhe individët e shoqërisë. Një vendim solidariteti për të gjithë individët dhe familjet shqiptare”, tha Koçiu.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb