TIRANË

Në kuadër të operacionit të nisur nga SPAK në Gjykatën e Krujës, SPAK i sekuestron 250 mijë euro dhe 160 milionë lekë cash edhe mjekut të njohur në QSUT, Edvin Prifti.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për “BalkanWeb” se shumat e mëdha të parave i janë gjetur në banesë dhe në zyrën e tij në QSUT, mjekut njëherësh Shefit të Kardio-Kirurgjisë, Edvin Prifti.

Kështu, siç raporton gazetarja Lala për “BalkanWeb”, 200 mijë euro dhe 130 milionë lekë të vjetra i janë gjetur në banesë mjekut Prifti. Ndërkohë, shuma tjetër prej 50 mijë eurosh dhe 30 mijë lekë të vjetra është gjetur në zyrën e mjekut të QSUT.

SPAK e ka zbuluar rastësisht mjekun e njohur, pasi kishte vënë në përgjim sekretaren e gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuçi e arrestuar sot bashkë me 10 persona të tjerë në atë gjykatë, bashkë me gjykatësen Enkeleida Hoxha, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ndërsa SPAK e kishte vënë në përgjim Mallkuçin zbulon se kjo e fundit fliste me mjekun Prifti për operacionin e nënës, për të cilin ai i kishte kërkuar para. Nga kjo bisedë e përgjuar rastësisht mjeku ka rnëë në grackën e SPAK.

Ndaj tij është vendosur mesa “Pezullim nga detyra” për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

“Gjithashtu gjatë hetimit të këtij procedimi penal është evidentuar edhe një rast korrupsioni në shëndetësi dhe në lidhje me këtë rast Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.14 datë 10.02.2021 ka vendosur caktimin e masës së sigurimit ndaj shtetasve. Edvin Prifti, mjek kardiokirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, masë sigurimi “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo funksioni publik”, parashikuar nga neni 242 i K. Pr. Penale, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal”- sqaronte SPAK.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb