TIRANE – Deklarata e gazetarit Artan Hoxha në “News24” se në burgun 302 ka patur hyrje të fshehta të njërit prej deputetëve të Komisionit të Sigurisë, ka ngritur në këmbë Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm, përfaqësues të të cilit kanë zbarkuar sot në burgun ku vuan dënimin edhe Dritan Dajti.

Specialistë të SHKB-së kanë kryer rreth mesditës një kontroll në burgun 302, për të zbuluar se cili ishte deputeti që ka hyrë në institucionin e vuajtjes së dënimit dhe cilin prej të burgosurve ka takuar.

Një ditë më parë, gazetari Artan Hoxha deklaroi në rubrikën “Opinion” në News24 se një deputet i komisionit parlamentar të sigurisë ka zhvilluar një takim në burgun 302, ku ndodhet edhe Dritan Dajti, i akuzuar si kapobandë dhe autor i një masakre të pesëfishtë më 7 gusht të vitit 2009 në qytetin e Durrësit, 4 prej viktimave policë.
Po në të njëjtin burg ndodhet edhe Kastriot Ismailaj. Sipas Hoxhës, deputeti në fjalë ka deklaruar se do të takonte ish-zv.drejtorin e Burgjeve, Iljaz Labin, i cili u arrestua për korrupsion por nuk e ka takuar.

“Para se të hynte në burg, deputeti ka kërkuar që të fiken kamerat e sigurisë, në mënyrë që të mos linte gjurmë”, tha Hoxha, i cili deklaroi se deputeti është takuar me Dritan Dajtin dhe një tjetër të burgosur që dyshohet se është Kastriot Ismailaj.

Gazetari Hoxha tha se deputeti mund të takojë çdo të dënuar, pasi këtë ia lejon ligji por se nuk është normale që kërkohen të mos lihen gjurmë, pra të mos funksionojnë kamerat.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb