Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka njoftuar se do të jepet shpërblim për zjarrfikësit, të cilët kanë qëndruar në gatishmëri në tre ditët e tërmetit dhe shirave të dendur që pasuan. Veliaj tha se punonjësit e zjarrfikëses kanë qëndruar 72 orë pa gjumë për të qenë në gatishmëri ndaj çdo emergjence.


“Përsa i përket trajtimit të punonjësve të Emergjencave Civile, kur ju them kam parë njerëz 72 orë pa gjumë, duke procesuar sa takat mund të kishim deri në pikën e fundit të energjisë. Këta janë realisht heronj. Nuk i kem përditë nëpër postera, por kur vjen dita e fatkeqësisë, pa ata njerëz nuk do ia bëjmë dot. Kështu që dua ta përshëndes vendimin e kryeministrit dhe qeverisë për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë për punonjësit e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, sigurimin e jetës të punonjësve të sigurimit dhe shpëtimit, dhe ndihmën e menjëhershme financiare”, nënvizoi Veliaj .


Në Këshillin Konsultativ të qeverisjes qendrore dhe vendore, Veliaj tha se bashkitë shqiptare duhet të shfrytëzojnë solidaritetin ndërkombëtar pas tërmetit për të bërë një inventar të nevojave që kanë. Veliaj tha se ky moment duhet shfrytëzuar për tu pajisur me mjete për të mos qenë të papërgatitur në raste të tjera emergjencash.


“Ditën e përmbytjes ne na duhej të punonim me gjysmë kapaciteti këtu që të çonim dhe pak ndihmë tek Rakipi në Kamëz, s’kishte lënë gjë, s’kishte zjarrfikëse, s’kishte motopompa, s’kishte asgjë. Dmth një qytet, duhet të menaxhonte edhe 3-4 bashki fqinjë, se në Vorë dhe në Kamëz s’kishte gjë. Kështu që për të gjitha këto arsye, unë them tani që na ka ardhur kjo fatkeqësi, t’i bëjmë llogaritë mirë edhe tani që kemi një mbështetje ndërkombëtare të fillojmë të kërkojmë të bëjmë inventare të bashkive, çfarë nevojash kanë për zjarrfikëse, për mjete, për motopompa, për motosharra. Do bëjmë një relacion me të gjithë kërkesat që kemi ta shfrytëzojmë këtë mundësi, që me këtë bujari dhe solidaritet ndërkombëtar, imagjino kemi solidaritet nga vende që janë dy-tre mijë kilometra larg, dhe politikanë të tjerë dy kilometra larg, e kanë mendjen te pushteti. E paimagjinueshme”, tha Veliaj.