Nga: ZONJA VJOLLCA
500 gr miell
300 ml ujë
50 ml vaj
Kripë
1 kokërr qepë
600-700 gr kunguj të njomë
3 kokrra vezë
1 gotë qumësht
3 lgj vaj ulliri
Kripë, Piper i zi
Fillimisht zëmë brumin me 500 gr miell, 300 ml ujë, 50 ml vaj dhe pak kripë. E lemë brumin të pushojë për 30 minuta.
Ndërkohë përgatisim mbushjen e lakrorit duke kaurdisur një kokërr qepë me një lugë vaj ulliri. Sapo qepa të zverdhet hedhim kungullin dhe e lemë derisa të largohet plotësisht lagështira e tij. Më pas në një tas rrahim 3 kokrra vezë me një gotë qumësht dhe e shtojmë tek kungujt. E rregullojmë me kripë dhe piper të zi dhe e lemë derisa kungujt të marrin valë.
Ndërkohë që mbushja ftohet, ndajmë brumin në 10 kuleçë të vegjël, të cilet i hapim më pas në petë me diametër 15 cm.
Bashkojmë 5 petë së bashku duke e lyer çdo petë me një furçë me pak vaj. Hapim më pas dy petë të mëdha. Vendosim njërën petë në tavën e pjekjes, shtrojmë mbushjen me kungull dhe vezë dhe më pas vendosim petën tjetër. E vendosim byrekun të piqet në temperaturën 180 gradë Celsius derisa peta të marrë një ngjyrë të artë.
(er.nu/BalkanWeb)
