NGA IV KALOCI

Sot për herë të parë, ekskluziv isht në “Gazeta Shqiptare”, po botojmë intervistën e zotit Skënder Lama, ish-oficer i Sigurimit të Shtetit me detyrë shërbimi në ish-Bllokun e udhëheqjes dhe më pas, përgjegjës në objektin e famshëm të “Shtëpisë me gjethe”, duke përfunduar dhe zv.drejtor i saj nga viti 1985 deri në vitin 1991. Në këtë intervistë, ai rrëfen përvojat e tij personale me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun, Kadri Hazbiun, Ramiz Alinë, Hekuran Isain, dhe duke përfunduar me dy ish-zv.ministrat e Brendshëm, Xhule Çirakun dhe Zylyftar Ramizin, nëpërmjet disa episodeve dhe ngjarjeve të panjohura.

Zoti Lama, cila është origjina e familjes suaj?
Unë kam lindur në 16 mars të vitit 1948, në Thumanë të Fushë- Krujës, prej nga rrjedh edhe origjina e familjes sime. Familja ime nuk ka nxjerrë asnjë aktivist dhe partizan të Lëvizjes Nacionalçlirimtare apo të Ballit Kombëtar, pra ka qëndruar neutrale gjatë Luftës, ashtu si të gjitha familjet e tjera të kësaj zone. Por gjithashtu mund t’ju them se shtëpia jonë ka shërbyer si bazë e rëndësishme për forcat partizane komuniste, ashtu dhe për forcat e Ballit dhe Legalitetit, veçanërisht ato të Abaz Kupit, të cilët si krutanë që ishin i kishim dhe miq. Po kështu, një mik i ngushtë i fisit Lama ka qenë edhe Sejfulla Shima, një eksponent i njohur i Lëvizjes Nacionaliste dhe Antikomuniste shqiptare sidomos pas vitit 1950. Në vitin 1953, Sejfullai u kap dhe u pushkatua nga regjimi i kohës si pjesëmarrës në organizatën e ashtuquajtur “Fronti i Rezistencës”, e cila kishte si qëllim destabilizimin e situatës politike, ekonomike dhe sociale në Shqipërinë e atyre viteve.

A u cenua familja juaj në aspektin ekonomik nga reformat e regjimit komunist pas Çlirimit?
Pas Çlirimit, ekonomia e familjes sonë u prek rëndë nga procesi i kolektivizimit, pasi një pjesë e mirë e saj u shtetëzua nga regjimi komunist në fuqi. Në këtë kohë, familja jonë dorëzoi vullnetarisht në kooperativë edhe atë pak pjesë të mbetur nga pasuria e vetme e saj, duke marrë shkas nga thirrjet e vazhdueshme nga Organizatat Bazë të Partisë, të cilat po krijonin të ashtuquajturat kolkoze dhe sovkoze sipas modelit ekonomik sovjetik. Model i cili në atë periudhë, sidomos deri në fillimin e viteve ’50, do të prekte në aspektin ekonomik rreth dy të tretat e familjeve shqiptare. Pas vitit 1955, në fermën e Thumanës do të vinin shumë familje nga krahinat e ndryshme të Shqipërisë së Jugut, si nga Skrapari, Mallakastra, Tepelena dhe Përmeti, ku vlen të përmend familjet Bakiasi, Ylli, Braimllari, Malindi etj. Këto familje ne i kemi mbajtur pa kurrfarë qiraje dhe me shumë mundime, vetëm duke ushqyer ndjenjën e dashurisë dhe respektit të madh për to.

Kur u shkolluat fillimisht?
Arsimi im fillor do të niste me shkollën 7-vjeçare të Thumanës, të cilën do ta përfundoja me rezultate relativisht të mira në vitin 1962. Më pas, po në këtë vit, unë u regjistrova në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skëndërbej”, e cila preferohej shumë nga rinia e asaj kohe, për shkak se ishte një dritare e hapur për të zhvilluar karrierën profesionale si ushtarak në një regjim qeverisës që i jepte prioritet të madh sektorit të mbrojtjes. Në periudhën e viteve 1963-1969, unë u aktivizova me ekipin e të rinjve të Partizanit në sportet e rënda, ku edhe do të kisha një përgatitje fizike të përshtatshme për natyrën e këtyre sporteve. Disa nga kolegët e mi në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skëndërbej” në ato vite kanë qenë, Ylli Dimraj, Bajram Malaj, Perlat Sula etj. Ndërsa, po kështu mund të përmend disa nga pedagogët e shquar, si Kostaq Karoli, Jorgji Çami etj.

Si e kujtoni ju, vendimin për heqjen e gradave në Ushtrinë Shqiptare gjatë kësaj kohe?
Viti 1966 do të përkonte edhe me heqjen e sistemit të gradave në Ushtrinë Shqiptare, gjë që do të çonte vetvetiu edhe në zhveshjen e kësaj Ushtrie nga ky sistem sipas modelit të huazuar kinez. Në shkollën “Skëndërbej”, absolutisht të gjithë ne protestuam në heshtje kundër këtij modeli të ri, pasi menduam që kjo strukturë e huazuar nga kinezët nuk do të krijonte një Forcë të Armatosur efikase dhe do ta bënte praktikisht të pavlefshme ekzistencën e Ushtrisë sonë. Disa muaj më pas, në kundërshtim me të gjitha rregullat e kohës, unë si dhe të gjithë skënderbegasit e tjerë do të dërgoheshim ushtarë në reparte të ndryshme (unë vetë do të shërbeja pranë klubit sportiv “Partizani”). Kjo do të bëhej nga Ministria e Mbrojtjes për të parandaluar një revoltë të mundshme të ushtarakëve shqiptarë, të cilët do të ishin totalisht të pamësuar dhe të papërgatitur për këtë sistem të ri funksionimi. Në gusht të vitit 1967 unë vijova studimet e larta në Shkollën e Bashkuar, ku me rekomandim të Drejtorit të Zbulimit të Ushtrisë, Gjeneral Andon Shetit, u caktova në formacionin e parë special të zbulimit, me të cilët stërviteshim në poligonet e Zall-Herrit në periferi të Tiranës.

Cilat ishin disa nga lëndët speciale që mësonit në këtë shkollë?
Disa nga lëndët që mësonim në këtë shkollë ishin, Radio-Ndërlidhja, taktikat speciale të neutralizimit të armikut, përgatitje ekstreme fizike, lëndët gjuhësore etj. Por një tjetër ngjarje e papritur që pas asaj të heqjes së gradave do të ndodhte në Ushtrinë shqiptare: dalja përfundimtare e Shqipërisë nga organizata politiko-ushtarake e Traktatit të Varshavës pas sulmit të Bashkimit Sovjetik mbi Çekosllovakinë në vitin 1968. ‘De facto’ Shqipëria kishte dalë nga ky traktat që pas ndërprerjes së marrëdhënieve politike, ekonomike dhe ushtarake me Bashkimin Sovjetik në 1961-shin, ndërsa 1968-ta do të shënonte edhe daljen ‘de jure’.

Si e kujtoni ju këtë ngjarje?
Disa javë pas këtij vendimi, neve na u komunikua në rrugë zyrtare që në zonën e Kanalit të Otrantos do të zhvillohej një stërvitje e fuqishme ushtarake ndërmjet dy blloqeve kryesore ushtarake, NATO-s dhe Traktatit të Varshavës. Menjëherë kaluam në gatishmëri nr. 1 dhe u zhvendosëm nga Tirana për në bregdetin e Karaburunit në Vlorë, ku do të ndiqnim nga afër me sytë tanë demonstrimin e forcës ndërmjet Flotës Ushtarako-Detare amerikane të Mesdheut të stacionuar në Bari dhe Flotës Ushtarako-Detare sovjetike po të Detit Mesdhe, e cila do të transferohej në Latakia të Sirisë Jugperëndimore. Kësaj radhe detyra jonë do të ishte vëzhgimi me kujdes i respektimit të vijës kufitare detare shqiptare nga këto dy flota. Në vitin 1969, unë përfundova studimet në Shkollën e Bashkuar Ushtarake me rezultate të mira dhe më pas u caktova të shkoja në një tjetër kurs special përgatitjeje, kësaj radhe në atë të Sigurimit të Shtetit. E njohur ndryshe dhe si Shkolla e Lartë e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e stacionuar në Sauk (sot Akademia e Rendit). Ardhja në këtë institucion të drejtuar nga Ministria e Brendshme, do të më vinte në një pozitë të vështirë, pasi unë në këtë shkollë isha më i riu me moshë në krahasim me kolegët e mi, dhe aq më tepër nuk isha anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë. Në Shkollën e Lartë të MPB-së unë studiova në profilin e Sigurimit veçanërisht atë të zbulimit me jashtë. Këtu ne ishim nën kujdesin e Hysni Kapos, i cili tregonte një vëmendje të veçantë posaçërisht për këtë profil.

Ju u shprehët më lart, që më pas vazhduat studimet në Shkollën e Lartë të MPB-së.
Cili ishte programi që studionit në këtë shkollë?
Disa nga lëndët që mësonim në këtë shkollë ishin, praktikat speciale të zbulimit, teknikat e veprimit në kushtet e zbulimit me jashtë, shërbimet sekrete të huaja, ekonomi politike, kriminalistikë etj. Gjithashtu, krahas këtyre lëndëve ne e kishim të detyruar të mësonim dy nga gjuhët e huaja, si serbo-kroatisht, greqisht, italisht, dhe veçanërisht anglisht. Por në përgjithësi natyra e këtyre lëndëve, me përjashtim të disave, do të ishte më shumë propagandistike (si marksizëm-leninizmi, historia e Partisë së Punës së Shqipërisë, imperializmi dhe revizionizmi modern) dhe më pak profesionale, çka do të arrinte ta kthente armën e Sigurimit të Shtetit në një polici politike dhe më pak profesionale. Disa nga profesorët e mi në këtë kurs do të ishin Reiz Malile (ish-ministër i Jashtëm), Nesti Nase (ish-ministër i Jashtëm), Skënder Backa dhe Gani Goxhaj. Ndërsa po kështu, disa nga kolegët e mi që gjithashtu ndiqnin studimet në këtë profil ishin, Vullnet Thanasi, Medin Çollaku, Rushit Kuçi etj. Në këtë kohë vlen të theksoj se, krahas reparteve të ndryshme zbuluese të Ministrisë së Mbrojtjes, repartet e Ministrisë së Punëve të Brendshme si Garda e Republikës, Batalioni Special i Sigurimit të Shtetit 324, si dhe ajo që do të quhej më vonë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë (të Policisë) 326 do të ishin repartet më efikase, më moderne dhe më të specializuara të kohës.

Po më pas, si do të vijonte karriera juaj profesionale?
Pas përfundimit të studimeve të mia disamujore në Shkollën e Lartë të MPB-së, unë kam shërbyer si përkthyes në një sektor të posaçëm të Drejtorisë së Zbulimit të Ushtrisë. Duke qenë në këtë pozicion, të gjithë stafit tonë na takonte të qëndronim të veshur civilë, ndërsa më pas, Shtabi i përgjithshëm na urdhëroi të visheshim ushtarakë. Kështu që, shumë nga ne në mënyrë të fshehtë dhe të sikletshme, pasi dilnim nga shtëpia të veshur civilë, para se të shkonim të punë visheshim ushtarakë në banjat e kryeqytetit ose nëpër cepat e pallateve dhe lulishteve. Kjo gjë i ra në sy Petrit Dumes, i cili vjen drejt nesh i nevrikosur dhe na detyron të bëjmë një mbledhje urgjente për këtë problem. Në debate e sipër ai u shpreh: “Nuk keni faj ju, pasi nga kapter bëhesh oficer, dhe nga oficer direkt bëhesh gjeneral, kurse tani…”. Kjo thënie më vonë iu përdor kundër në gjyqin ndaj tij dhe Beqir Ballukut e Hito Çakos në vitet 1974-1975. Si e kujtoni arrestimin e gjeneralëve në këtë kohë gjatë periudhës që punonit në këtë drejtori? Drejtoria jonë, arrestimin e gjeneralëve në vitin 1974, do ta merrte vesh vetëm nëpërmjet burimeve të agjencive të huaja të lajmeve, pasi, Sigurimi i Shtetit do të bënte çmos të ruante deri në minutën e fundit konfidencialitetin e këtyre informacioneve sekrete. Arrestimin e tyre ne zyrtarisht nuk e dinim, por nën zë absolutisht e parandienim. Pas dënimit të ushtarakëve në vitin 1975, unë u transferova, nga Drejtoria e Zbulimit të Ushtrisë, në Drejtorinë e Dytë të Sigurimit të Shtetit në MPB, ku do të merresha në mënyrë të veçantë me përgatitjen e një grupi special për sigurimin fizik të udhëheqjes. Ky grup, që përbëhej nga rreth 30 oficerë të shkolluar mirë, do ta kryente stërvitjen në ambientet e Shkollës së Lartë të MPB-së në Sauk.

Mund të na thoni disa nga emrat e efektivëve që ishin pjesë e këtij grupi?
Disa nga këta efektivë do të ishin, Nikoll Tuci, Lefter Toska, Gëzim Tosku etj. Në janar të vitit 1977, unë kalova plotësisht në sektorin e sigurimit të udhëheqjes në zonën e Bllokut. Këtu unë erdha me rekomandimin e Gjeneral Xhule Çirakut. Gjatë kohës së vajtjes sime me shërbim në zonën e Bllokut, as nuk do të guxoja ta çoja nëpër mend për të bërë një kërkesë të mundshme për rritje në detyrë, dhe aq më tepër për t’u pranuar në Partinë e Punës. Dhe kjo pasi, asokohe biografia ime kishte një “njollë të zezë”, pasi dajat e mi ishin të arratisur në mal që në vitet e para të pas çlirimit dhe familja ime gjithmonë nuk ishte parë me sy të mirë nga regjimi i kohës.

Cila ishte përshtypja juaj rreth Bllokut?
Vajtja me shërbim në Bllok, fillimisht u prit me entuziazëm nga ana ime, pasi mendova se, që të kryeje detyrën në atë zonë ekskluzive qeveritare, do të t’i hapte të gjitha dyert e jetës në vazhdim. Por, me kalimin e kohës ky fakt u venit dhe u zbeh në mënyrë të menjëhershme, pasi ajo zonë nuk rrezatonte gjë tjetër veçse një natyrë ambienti të zymtë, të mistershme, dhe tejet të izoluar për vetë shoqërinë shqiptare. Pa dyshim që Blloku, në atë kohë do të ishte – për sa i përket natyrës së tij – një nga zonat më të bukura të Tiranës dhe jo vetëm, i pasur me lulishte dhe parqe komode si dhe rrugë të pastra, të cilat të linin përshtypjen e një lagjeje të zakonshme të pasurish në metropolet e Parisit apo Londrës. Por nga ana tjetër, zymtësia, vrazhdësia dhe komplotet e vazhdueshme që zhvilloheshin në të nga vetë banorët e këtij ambienti ekskluziv, do ta kthenin 360 gradë këtë lagje në një nga zonat më paranojake që mund të ekzistonte, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë.

Si ishin jeta dhe komunikimi brenda zonës së Bllokut gjatë kësaj periudhe?
Komunikimi njerëzor brenda Bllokut ishte, pa dyshim, e një natyre shurdhmemece dhe totalisht të pajetë. E vetmja lëvizje që ne dallonim në rrugët e kësaj lagjeje do të ishte kërcitja e takave të Nexhmije Hoxhës kur dilte apo kur kthehej në rezidencën e saj. Njëkohësisht, dalja e Enver Hoxhës në rrugët e Bllokut, në një farë mënyre do të “ngujonte” të gjithë pjesëtarët e familjeve të tjera të saj, ndërsa kur lëvizte Mehmet Shehu, asnjë tjetër poshtë rangut hierarkik të tij nuk duhej të lëvizte në këmbë në këtë zonë. Madje, në një mbledhje të posaçme të të gjithë efektivëve të Grupit të Shërbimit për ruajtjen e tij, u diskutua edhe mundësia për të eliminuar të gjithë zogjtë e pyllit dhe qentë e rrugës, për të mos shqetësuar me zhurmat e tyre udhëheqjen kur kjo e fundit pushonte. Gjatë fundit të viteve ’70 dhe fillimit të viteve ’80, daljet e shpeshta rrugëve të Bllokut të Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut u rralluan së tepërmi, për arsye sigurie. Por ajo ngjarje e veçantë që më ka mbetur në mendje gjatë kësaj periudhe, do të ishte një episod tepër i çuditshëm dhe njëkohësisht kurajoz për kohën. (VIJON)
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: