SHKODER – “Xhamadanin kuq si gjaku”, “Moj e mir synin larush”, Djal i dashtun”, “Seç po fryn fllad pranvere”, etj. Këto janë disa prej këngëve më të njohura të kënduara në dhjetëra vite. Këngëtarja që i ka interpretuar me zërin e saj të magjishëm nuk është më. U nda nga jeta në moshën 82-vjeçare, bilbili i muzikës popullore qytetare shkodrane, Naile Hoxha. Ajo vuante nga zemra dhe u shua në azilin e të moshuarve në Shkodër, ku kaloi edhe ditët e fundit të jetës.

Mesditën e sotme, në Bashkinë e Shkodrës u zhvilluan homazhe në nderim të divës së muzikës popullore qytetare. Familjarë, personalitete të artit, drejtues të pushtetit vendor dhe dashamirës të muzikës u mblodhën sot për të përcjellë për në banesën e fundit këngëtaren.

Naile Hoxha ka kënduar shumë këngë prej moshës 13-vjeçare, kur hodhi hapat e parë të karrierës. Hoxha ishte pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe një ndër këngëtaret e preferuara të regjimit të asaj kohe. Homazhet në nderim të këngëtares do të zhvillohen të martën nga ora 11:00 deri në 13:00 në Bashkinë e Shkodrës.

Naile Hoxha “Artiste e Merituar”, lindi në Shkodër më 31 dhjetor 1934. Filloi të këndonte në një moshë të vogël me babain e saj. Shumë shpejt ajo u bë pjesë e një grupi të njohur artistësh si: Luçie Miloti, Bik Ndoja, Ibrahim Tukiçi, Xhevdet Hafizi. Mori pjesë në koncerte të ndryshme në Shkodër, si dhe në Radio ‘Shkodra’, ku regjistroi edhe këngët e saj të para. Rreth 4-5 vite më vonë, në moshën 18-vjeçare, bashkë me familjen e saj të sapokrijuar, transferohet në Tiranë, ku fillon e këndon në atë kohë me Estradën e Tiranës dhe më pas në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore. Ka interpretuar shumë këngë popullore edhe këngë si: “Seç po Fryn nji Fllad Prandvere”, “Ani moj Hatixhe”, “Oj Zog-o” e shumë e shumë këngë të tjera. Ajo u nderua me titullin “Artiste e Merituar” rreth viteve 1973-‘74. Gjithashtu, në vitin 2012 në kuadrin e 100-vjetorit të Pavarësisë, u nderua me Certifikatë “Mirënjohje” nga Prefektura Shkodër. “Kanga popullore ka kenë arma ma e mirë në duert e mia si artiste. Kangën e kam këndue me shpirt e zemër për me kënaqe tanë dashamirët e saj!”, është shprehur ajo.

INTERVISTA E FUNDIT
Në një intervistë të muajit mars të këtij, që është edhe intervista e asaj e fundit, Naile Hoxha ka treguar se ka qenë një nga këngëtaret e preferuara të udhëheqjes komuniste. Ka kënduar nëpër mbledhje, takime delegacionesh, madje dhe në ditëlindjen e diktatorit. 82-vjeçarja thoshte se nuk ka asnjë arsye për t’u ankuar. Ajo tregoi se si e solli Enveri në Tiranë, udhëtimet jashtë shtetit dhe marrëdhëniet me këngëtaret e tjera.
– Flitet se ju jeni zgjedhur nga vetë Enver Hoxha për të kënduar. A është e vërtetë?
Po, e vërtetë. Erdhi njëherë në Shkodër tek Shtëpia e Kulturës. Na thanë se duhet të këndonim me rastin e vizitës së Enverit. Ai erdhi. Kur u ngjit për shkallësh, i bukuri i dheut ishte… Atëherë ishte 42 vjeç. Këndoi Luçije Miloti, Ibrahim Tukiçi, Xhevdet Hafizi, Bik Ndoja dhe të gjithë të tjerët. Mua më lanë për në fund. Këndova këngën: “Në pranverë që kena hi/drandofilja po lul’zon…”, një këngë që ta nxjerr mirë zërin. E këndova dhe e përshëndeta. U bëra gati të shkoj në vendin tim. Foli shkodranisht: “Po hajde, hajde njëherë ti k’tu”. Unë shkova ku ishte Enveri dhe i vendosa dy duart tek krahët. Më pyeti se a shkoj në shkollë. Jo, i thashë unë, vetëm tek shkolla e natës, sepse punoj në shtypshkronjë. “Punon dhe këndon, shumë mirë”, tha ai. “Po kush asht njaj djali atje?”, prapë shkodranisht më pyeti. “Është i fejuari”, i thashë. Erdhi burri im dhe i dha dorën, e pyeti se ku punon dhe i tregoi se ishte shofer. E pyeti për moshën. Atëherë ai ishte 18 vjeç, kurse unë 15. “Shofer dhe me kurajë”, tha Enveri. Meqë i pëlqeu zëri im, tha se duhet të shkonim në Tiranë. U martuam dhe shkuam në Tiranë, pas 3 vitesh nga ajo ditë. Kur shkova, Ansambli nuk ishte hapur akoma dhe më dërguan tek Estrada.
– Ju keni shumë këngë të bukura, që i këndoni dashurisë, rinisë, natyrës etj. Po për Partinë, a keni kënduar?
Për partinë kam kënduar shumë. Ata kishin mbledhje, vinin edhe të huaj. Nuk e di si do duket ta them, por zëri im pëlqehej shumë. Kështu që kam kënduar shumë për Partinë. Kush e di sa herë kam kënduar “Rrofsh Enver sa malet tona”.
– A ju ka ndodhur që funksionarë të lartë të PPSH-së t’ju kenë ftuar që të këndoni në gëzimet e tyre familjare?
Po, kam shkuar kur Enveri mbushi 60 vjeç. Më çuan që të këndoj për ditëlindjen e tij. Këndova këngën: Kuvendon Marta me gra/ Burrin plak mjerë kush e ka/ Hall më të madh nuk ka moj motra/ Kur e sheh burrin ndej te votra/ 60 vjetat i ka mbush… Kur kam thënë “60 vjetat i ka mbush”, sikur më ra të fikët e më erdhi turp, sepse Enveri kishte 60-vjetorin dhe atij nuk i dukej shumë. Menjëherë e kam ndërruar dhe kam bërtitur: “E vërteta është Partia/ i falsha shumë prej ditëve të mia…”. Pra, të njëjtës këngë ia ndërrova dorë për dorë tekstin. Më pas, kur po zbrisja shkallët për të shkuar aty ku isha ulur, Enveri më tha: “Naile, unë nuk të njoha”. Mbeta unë dhe nuk kisha çfarë të thosha dhe nuk fola fare. U stepa. Më pa se u frikësova dhe më tha menjëherë “Eja, eja këtu në tavolinën tonë”. Shkova në tavolinën e tyre. (Gjatë mbrëmjes bëhej një lojë. Një grua shpërndante ca letra të palosura. Kujt i binte ajo me vrimë, ishte me fat). Enveri e kishte pa birë letrën edhe unë pa birë. Më tha: Naile nuk na ra gjë. I thashë: Po, po, mua po. “Jo, tha, nuk na ra”. I thashë: “Unë kam shumë fat, se jam te tavolina juaj”. Sepse kujt i binte letra me birë, cilësohej me fat. Aty ishin në tavolinë Nexhmija, Mehmet Shehu dhe gjithë të tjerët. Për të tjerët s’kam kënduar në festa familjare, vetëm për Enverin.
– Ju mbani mbiemrin Hoxha. A ju favorizoi gjatë komunizmit ky mbiemër, të cilin e kishte edhe ish-udhëheqësi i PPSH-së, Enver Hoxha?
Unë mbiemrin e vajzërisë e kam Tula, ndërsa nga ana e burrit e kishim Hoxhiç. Meqë Enveri e kishte Hoxha, mua më përafruan dhe ma bënë Hoxhaj. Unë i thashë: Shoku Enver, unë nuk e kam mbiemrin Hoxhaj, por Hoxha. “Po pse ta kanë ndërruar”, më tha. Nuk e di, i thashë. “Mirë – tha – se e rregulloj unë”. Unë kisha dëshirë ta bëjë si udhëheqësi dhe ashtu ndodhi. Mbiemri më favorizoi shumë. E dua Shqipërinë. Kurrë nuk mendoja të arratisesha. S’kam pasur frikë nga ai sistem, asnjëherë.
– Një jetë me këngën popullore, a keni tentuar që të këndoni edhe këngën e lehtë?
Jo, asnjëherë, sepse s’më ka pëlqyer. Vetëm këngën popullore. Vaçe Zelën e kisha shoqe të ngushtë. Jemi dashur fort dhe Vaçja më pëlqente shumë kur këndonte, por ishte shumë e rëndë si muzikë. Vetëm Vaçja e këndonte, kurse unë doja populloren.
– A ju ka ndodhur që ndonjë koleg/kolege të ankohet në Parti apo ndokund tjetër për ju?
Jo, nuk është ankuar kush, sepse kam qenë tejet e dashur me shokët e shoqet. E zonja e punës, po dhe nuk kanë pasur nevojë.
– Si ka arritur Naile Hoxha t’i shpëtojë atij sistemi që ka ndëshkuar shumë artistë të tjerë?
Kam qenë e urtë. Nuk kam bërë asgjë tjetër, veçse kam kënduar.
Ngacmime a kishte për ju femrat nga udhëheqja?
Jo, jo, për mua jo. Nuk njoh as ndonjë tjetër. Nuk jam ndjerë keq asnjëherë. Edhe Nexhmija më ka dashur fort. Kur ishte puna për të shkuar jashtë shtetit, mua më vinte të parën në listë dhe pastaj vendet e tjera i linte bosh, për t’i vendosur të tjerët. Artistin e do çdo qeveri dhe artistët duan çdo qeveri, sepse mua nuk më duhet gjë si e drejton vendin dikush, sepse puna e një artisti është vetëm për të kënduar bukur.
– Më mirë atëherë apo sot?
Jo, më mirë sot. Shqipëria ka ndryshuar totalisht. Nuk kam nostalgji për atë kohë. Një gjë ka pasur të mirë, shkoja për të kënduar dhe rrija deri në 2 të natës dhe askush s’të thoshte asnjë fjalë.
– Po këngëtarët ishin më të mirë atëherë apo sot?
Atëherë më të mirë ishin. Sot zhvishen femrat këngëtare lakuriq. Nuk bën. A do të këndosh apo të tregosh trupin?! Njëherë më dërgoi drejtori i Estradës të këndoj në një dasmë, sepse martohej një shok i tij. U desh ta dëgjoja, se ishte drejtori… Shkova dhe i thashë burrit tim: “Do shkoj të këndoj, se më ka thënë drejtori, marton një shokun e vet”. “Shumë mirë” – më tha dhe nuk bëri zë. Të nesërmen dola në punë dhe erdhi burri im tek drejtori dhe i tha: “Dua të heq Nailen nga puna. U çudit, pse, tha, është më e mira. Jo, i tha ai, e kam futur në punë për t’i kënduar popullit e jo shokëve tuaj që martohen”. Që atëherë drejtori s’më tha asnjëherë më. Enverit nuk ka mundur që t’i thoshte kështu natyrisht, se kishim frikë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: