Kolegë e bashkëpunëtorë kanë bërë homazhe pranë arkëmortit të regjisorit, skenaristit e producentit, Vladimir Prifti që u nda nga jeta të dielën në moshën 81 –vjeçare. Në takimin e mbramë me të atin, Keidi Prifti, kujton me fjalë të ndjera, babain dhe artistin.
“Ai kishte këto sy të vegjël që ishin si dy pika në një oqean fantazie, që ishte bota e tij. Kur unë isha i vogël, ishte koha që ai xhironte filmin “Udha e shkronjave”. Shumë artistë vinin ta takonin, sidomos Sandër Prosi që ishte në rolin kryesor të filmit. Pavarësisht se puna ishte shumë e vështirë në atë kohë, unë kërkoja ndihmë, kërkoja përkëdhelje dhe ai nuk më harronte kurrë. Kështu që më merrte hopa dhe më hidhte në ajër. Imazhi im i parë që kam me babain tim, është ky imazh i bukur dhe i lumtur, i faqes së tij dhe i buzëqeshjes së tij. Dhe ky imazh është i pikturuar në zemrën time”, tha Keidi Prifti.
Kolegët kujtuan punët me të dhe po aq pengjet që mori me vete, si Skënderbeu i pambaruar
ROZA ANAGNOSTI: Do të jetë një kurorë e bukur për kulturën shqiptare, me filmat e tij dhe me skenarët e tij. Unë kam xhiruar me të dokumentarin Skënderbeu me të dhe ishte një artist i mrekullueshëm , familjar shembullor dhe njeri shumë i mirë. Kishte dhe dy seri të tjera dhe nuk i realizoi dot, për arsye financimi.
ARBEN LAMI: Filmi i parë që realizuam në atë periudhë ka qenë ‘Dasma e Sakos’. Ishte një njeri kërkues në maksimum, për çdo aspekt të filmit, Vladimiri punonte në mënyrë skrupuloze me aktorët.
Një prej filmave të tij më të njohur ishte “Udha e Shkronjave” për shfaqjen e të cilit u desh miratimi i diktatorit Enver Hoxha.
OSMAN MULA: Ka kaluar me shumë halle në transmetim, mund të jetë parë 3-4 herë. Kishte probleme shumë sepse thoshin pse duhet të vijë ky me shkronja nga andej në Shqipëri, për të hapur shkolla, pse kaq terren bosh paska qenë Shqipëria.
I diplomuar si aktor, ai pati një karrierë si regjisor ne teatër, televizion e film ai ju dha jetë prodhimeve “Era e ngrohtë e thellësive”, “Kush vdes në këmbë”, “Dhe vjen një ditë”, “Flutura në Kabinën time” etj . Varrrimi bëhet këtë të martë në Sharrë.