TIRANË- Po zhvillohet sot në Tiranë, Asambleja e Përgjithshme Vjetore e SEPCA-s, Shoqatës së Drejtorëve të Policisë së Evropës Juglindore, ku Shqipëria ka kryesinë e radhës.

Në këtë aktivitet merr pjesë Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, Drejtues të Larte të Policive të Rajonit e më gjere, po ashtu dhe oficerë ndërlidhës policor të atashuar në vendin tone, si dhe Drejtuesi i ICITAP, Drejtuesi i PAMECA IV, si dhe Shefi i Departamentit të Sigurisë OSCE.

I pranishëm në këtë aktivitet, nëndrejtori i Policisë Austriake foli për aziklkërkuesit nga Kosova por edhe nga Shqipëria, për të cilët tha se duhet ta kenë të qartë dhe të mos mashtrohen, pasi nuk mund të fitojnë azil politik në Austri e Gjermani.

“Sa i përket këndvështrimit tonë, njerëzit në Shqipëri dhe në Kosovë jetojnë në vende të sigurta, kështu që nuk ka shans që ata të fitojnë azil në Austri apo në Gjermani. Vitin e kaluar patëm një fluks të madh emigrantësh ilegalë, pjesa më e madh e tyre azilkërkues, që kalonin kufijtë tanë. Megjithatë ajo që ne jemi përpjekur t’iu shpjegojmë gjithnjë është fakti që nuk kanë shans të fitojnë azil. Bëhet fjalë edhe për emigrantë të kombësive të tjera si nga Siria, Iraku, Libia dhe nëse vijnë, ata do të qëndrojnë një periudhë shumë të shkurtër në Austri dhe do të dërgohen sërish në vendin e tyre. Personat e vetëm që përfitojnë nga kjo situatë janë ata që merren me trafikimin e qënieve njerëzore, që iu marrin emigrantëve shuma të mëdha parash duke i mashtruar. Ne ju themi që mos t’ju besoni atyre, pasi janë kriminelë. Kemi biseduar shumë me refugjatët për këtë çështje, persona në Kosovë shumë të varfër që kanë shitur gjithçka si për shembull në Kosovë. Trafikantët i kanë sjellë në Europën Qendrore, por më pas janë kthyer sërish në vendin e tyre, në gjendje edhe më të varfër seç ishin më parë. Kemi identifikuar disa grupe kriminale që dërgojnë emigrantë në Europë. Kemi arrestuar shumë prej tyre. Ata kanë fituar shuma të mëdha parash, por jetojnë në luks. Nga ana tjetër ne kemi njerëz shumë shumë të varfër, të cilët kanë pasur shpresa dhe kanë shitur gjithçka për të fituar një të ardhme në Europën Qendrore. Gjëja më e rëndësishme që duhet bërë për të ndaluar fluksin e emigrantëve është që t’iu thuhet e vërteta”, tha ai.

Lang sqaroi se, “Në vitin 1948, Austria ka qenë vendi i tretë më i varfër në Europë pas luftës, por populli austriak qëndroi në vendin e tij dhe e ndërtoi sërish Austrinë. Ndërtuan struktura të reja politike, sistem të ri ekonomik e arsimor dhe tashmë Austria është një prej vendeve më të pasura në Europë. Ndaj iu bëjmë thirrje shqiptarëve: Qëndroni në vendin tuaj pasi keni një vend të bukur, keni mundësi, keni një rini mjaft inteligjente, të rinj të arsimuar mjaft mirë, madje mund të them se janë më të mirë arsimuar se austriakët për shembull sa i përket gjuhëve të huaja dhe ndaj ju këshilloj të ndërtoni vendin tuaj”.

(ma.ar/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: