Nga: ERMELINDA HOXHAJ*
Nga: AURORA KOROMANI*
TIRANE – Largimi nga puna i 7 efektivëve të forcave RENEA, dy prej të cilëve ishin besimtarë praktikantë, ka vënë në lëvizje edhe Komunitetin Mysliman të Shqipërisë. Sipas informacioneve zyrtare, drejtues të KMSH-së kanë kërkuar takim me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, por për shkak të ngjarjeve të ditëve të fundit, takimin e kanë bërë më datë 13 shkurt, me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi. Në motivacionin zyrtar të Drejtorisë së Policisë së Shtetit, efektivët janë transferuar në detyra të ulëta për nevoja pune, ndërsa burime jozyrtare i thanë “GSH”-së, se disa punonjës të forcave speciale janë transferuar për shkak se janë praktikantë të besimit islam dhe falen në orarin e punës. Besohet se në takimin e myftiut të Tiranës me kryepolicin Didi është kërkuar informacion lidhur me motivacionin real të largimit të efektivëve të RENEA-s nga detyra.
GURRA DHE DIDI
Myftiu i Tiranës, Ylli Gurra ka deklaruar për “GSH” se: “Kam kërkuar një takim me ministrin Tahiri, por për shkak të axhendës dhe të ngjarjeve të fundit, takimi u la që të bëhej me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi. Takimi u bë ditën e premte dhe ishte një takim konstruktiv”. Edhe kreu i Policisë së Shtetit, Artan Didi e ka konfirmuar takimin që ka bërë mbrëmjen e së premtes me përfaqësues të Komunitetit Mysliman. Edhe pse burime të sigurta sqaruan për “GSH”, se takimi është kërkuar nga ana e përfaqësuesve të Komunitetit Mysliman pas largimit të efektivëve të RENEA-s për shkak të praktikimit të besimit fetar, Didi nuk sqaroi nëse në këtë takim është folur për këtë çështje apo jo. I kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare”, numri një i uniformave blu, sqaroi se takimi është bërë në kuadër të forcimit të bashkëpunimit mes policisë dhe KMSH-së. “Ishte një takim normal për bashkëpunim”, – konfirmoi për “GSH”, kryepolici Didi.
7 TE LARGUARIT
Një javë më parë, punonjësit e repartit të forcave speciale RENEA, nisën që t’u nënshtrohen disa testeve fizike për të mbajtur vendin e tyre të punës. Lajmi u bë i ditur nga burime të sigurta për “Gazeta Shqiptare”, sipas të cilave, testit fizik do t’u nënshtrohen të gjithë efektivët e forcave speciale dhe se do të jetë ky test që do të përcaktojë nëse efektivët do e mbajnë vendin e tyre të punës apo jo. Nga të njëjtat burime sqarohet se të dielën e kaluar, me urdhër të kreut të Policisë së Shtetit, Artan Didi, nga komisariati i RENEA-s janë transferuar nga detyra 7 efektivë të forcave speciale. Këta të fundit mësohet të jenë emëruar në strukturat e tjera të policisë dhe konkretisht kanë kaluar pranë Patrullës së Përgjithshme. Lëvizja e tyre është bërë me motivacionin zyrtar “për nevoja pune”, por sipas burimeve nga policia, emërimi i tyre në strukturat e tjera të policisë lidhet me diçka tjetër. Konkretisht, nga reparti i forcave speciale është larguar Alfred B., Besnik T., Besnik L., Arjan L., Lek S., Isuf D. dhe një efektiv tjetër. Sipas të njëjtave burime, dy prej efektivëve janë larguar nga RENEA për shkak të njohjeve në disa raste si shoqërues (kur punonin në Gardë) të ish-zv/drejtorit të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj. Ndërsa për efektivët e tjerë të transferuar në detyra të tjera ka pasur pakënaqësi edhe më parë, për shkak se punonjësit e forcave speciale falen gjatë orarit të punës dhe me sa duket kjo gjë ka shkaktuar pakënaqësi te drejtuesit, edhe pse punonjësit e forcave speciale mund të shkarkohen apo emërohen pranë këtij reparti vetëm përmes testimeve të ndryshme.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)