I ftuar në rubrikën “Opinion” në “News 24”, Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Fatmir Brahimaj ka folur për fenomenin e largimit të mjekëve drejt Gjermanisë.

Ai tha se mjekët duan një sistem të mirë pune dhe paga jo gjithmonë është treguesi parësor i largimit.

“Ky studim në fakt bëri veshjen statistikore. Ky nuk është fenomen i sotshëm. Në përgjithësi duke parë tendencën globale dhe kyçi i saj për ta kuptuar është se mjekët duan të bëjnë mjekësi të mirë, duan kushtet e mira. Sivjet kanë kërkuar 100 mjekë certifikatën e sjelljes së mirë. Mjekët janë të pashpërblyer si financiarisht dhe moralisht. Mjekët vuajnë nga kriza e besimit, por ka edhe dhunë të shtuar tek mjekët. Njeriu në punë kërkon sigurinë dhe komoditetin”, tha ai.

Kreu i Urdhrit të Mjekëve pohoi se në listën e mjekëve të regjistruar janë rreth 6200 mjekë, ku pjesa më e madhe punojnë në sektorin publik. Ai shtoi se tendenca e largimit të mjekëve është  globale dhe duke pranuar se në shumicën e rasteve, bluzat e bardha janë në ndjekje të parave.

“Në regjistrin tonë numri i mjekëve është 6200. Ne nga regjistri nuk i heqim mjekët, pasi mund të kthehen sërish. Po ashtu janë mjekë pensionistë. Pjesa tjetër janë mjekët që janë të sektorit privat.  Ne duhet që të gjejmë një zgjidhje definitive. Bonusi financiar është diçka për ta zbutur atë, por duhet të mendojmë për të siguruar një numër më të madh  mjekësh”, shtoi ai.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb