TIRANE- Gjykata e Krimeve të Rënda ka vendosur sot masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Arbion Alikos, i akuzuar si pjesë e grupit të zjarrit që qëlloi me armë ndaj policisë disa ditë më parë në Lazarat. Nga sulmi mbeti i vrarë një efektiv policie ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur.

Të njëjtën masë sigurie Gjykata ka dhënë edhe ndaj vëllait të tij më të vogël Alban Aliko.

Dy vëllezërit 17 dhe 20 vjeç u arrestuan në një tunel në Kardhiq, 20 kilometra larg Lazaratit, në një zonë malore e cila ndodhet midis Gjirokastrës dhe Tepelenës. Ata akuzohen si pjesë e grupit të zjarrit që qëlluan mbi policinë disa ditë më parë në Lazarat, ku një efektiv humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën.

Arbjon dhe Alban Aliko nuk bënë rezistencë gjatë prangosjes dhe në momentin e arrestimit ata nuk kanë pasur armë.

Sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda grupi i zjarrit në Lazarat përgatitej prej gjashtë muajsh për të sulmuar policinë.

NESHAT FANA: PROVAT E PROKURORISË NUK VËRTETOHEN. DËSHMI TË STISURA NDAJ VËLLEZËRVE ALIKO
Në mbyllje të seancës, avokati i vëllezërve Aliko, Neshat Fana tha se provat e Prokurorisë nuk vërtetojnë se efektivi Ibrahim Basha është qëlluar nga Arbioni dhe Albani. Duke referuar dëshmive të dhëna nga dy të arrestuar të tjerë për këtë ngjarje, Fana tha se janë dëshmi të stisura ndaj vëllezërve Aliko”.

“Ne provat që kemi ia adresojmë prokurorisë. Ato që paraqiti prokuroria sot nuk vërtetojnë se dy vëllezërit kanë qëlluar ndaj policisë. Madje nuk vërtetohet se është qëlluar me snajper”, tha avokati Shana.

PËRJASHTIMI I GJYQTARES, RRËZOHET KËRKESA E VËLLEZËRVE ALIKO
Në herët, avokati i vëllezërve Aliko, Neshat Fana kërkoi përjashtimin e gjyqtares Flora Hajredinaj nga trupa gjykuese. Sipas tij, kjo kërkesë synon të mos ketë njëanshmëri në procesin e gjykimin ndaj Arbion e Alban Alikos.
Por kërkesa e vëllezërve Aliko për përjashtimin e gjyqtares Hajredinaj u rrëzua.

NDËRPRITET SEANCA NDAJ ALBAN ALIKOS, PROKURORI: ËSHTË 17 VJEÇ, DUHET PSIKOLOG
ORA 12:05 Seanca gjyqësore e nisur ditën e sotme në Gjykatën e Krimeve të Rënda ndaj Alban Alikos për ngjarjen në Lazarat, është ndërprerë, për shkak se Prokurori ka kërkuar praninë e një psikologu. Sipas Prokurorit, Alban Aliko është 17 vjeç dhe për këtë nevojitet prania e psikologut.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb