Largimi i Ciro Immobiles ka lënë një boshllëk të madh në repartin ofensiv tek skuadra e Lazios. Vetëm argjentinasi Taty Castellanos mund të mos mjaftojë për skuadrën e teknikut Marco Baroni për sezonin e ardhshëm. Në këto kushte skuadra kryeqytetase po ideon edhe pasuesin e Immobiles në sulm.

Emri i përzgjedhur duket se është ai i Giovanni Simeones, aktualisht në pronësi të Napolit, por që nuk duket se bën pjesë në planet e Contes.
Simeone është një njohës mjaft i mirë i Serisë A, pasi luan aty prej disa sezonesh dhe për më tepër, me Lazion e lidhin edhe kujtimet e bukura të të atit, Diego Simeone, i cili në karrierën e tij si futbollist ka veshur për disa sezone fanellën bardhekaltër.

Sulmuesi 29-vjeçar është transferuar në Serinë A që në verën e 2016-ës për të veshur fanellën e Genoas, teksa më pas ka luajtur edhe me klube si Fiorentina, Cagliari, Verona e Napoli.
Në 257 ndeshje në Itali, Simeone numëron më shumë se 80 gola, teksa me 29 vite mbi supe, ai ka eksperiencën e duhur për të bërë mirë në sulmin e Lazios.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: