Mesfushori i Kombëtares, Ledian Memushaj, ka pasur fatin të punojë me trajnerin e ri të Partizanit, Franko Lerda, pikërisht në sezonin 2012-2013 te Leçe.

Në intervistën për “Panorama Sport”, vlonjati zbulon për shqiptarët dhe kryesisht për lojtarët e tifozët e kuq se kush është dhe çfarë e karakterizon trajnerin Lerda. Për Memushajn, 51-vjeçari është njeri pozitiv dhe i uron suksese te “demat”.

Mesfushori tregon se Lerda është trajner serioz, që i bazon gjërat te puna dhe impenjimi i lojtarëve në stërvitje do të thotë shumë për atë. Sipas Memushajt, Lerda është trajner i përgatitur dhe lojtarët mund të komunikojnë lehtë me atë, plus që nuk bën stërvitje ekstreme.

Sa i përket Champions-it, me të qeshur Memushaj e shikon Karabakun më të dobët pas ikjes së Ansi Agollit dhe suksesin ua dëshiron të kuqve, jo vetëm prej trajnerit, por edhe Alban Hoxhës, që e ka shok skuadre te Kombëtarja.

Ledian, trajneri i Partizanit pohoi se ka bashkëpunuar me ju. Sa e njeh Lerdën si trajner?

Lerdën e njoh mirë, pasi e kam pasur trajner për një sezon te Leçe.

Çfarë raporti ke pasur me atë?

Kam pasur një raport shumë të mirë. Ai më respektonte si lojtar dhe unë e respektoja si trajner.

Çmendim ke për faktin se mori drejtimin e Partizanit, që sapo është shpallur kampion?

Jam shumë i kënaqur për Lerdën dhe stafin e tij që janë trajnerë të Partizanit. Sinqerisht, më bëhet qejfi dhe shpresoj që t’i shkojnë gjërat sa më mirë te Partizani.

A ka kërkuar informacion prej teje para se të vinte në Shqipëri?

Para disa ditësh më mori në telefon zëvendëstrajneri dhe më pyeti për ca informacione, për lojtarët dhe qytetin.

Çfarë e karakterizon Lerdën si trajner, dukuri që e ka të veten?

Gjërat që e karakterizojnë janë se ai është një trajner serioz dhe është i përgatitur taktikisht.

 

A është e vërtetë se ai është shumë i fokusuar te përgatitjet fizike?

Jo, nuk është i vërtetë fakti që punon shumë në anën fizike. Kur më ka trajnuar mua te Leçe, nuk bënim stërvitje fizike të ekzagjeruar.

Çfarë marrëdhëniesh ka në përgjithësi me lojtarët?

Ai është trajner me rregulla dhe serioz në punën e tij, por jo në stadin ekstrem. Gjëja që pretendon nga lojtarët është që ata të stërviten seriozisht.

Ndonjë këshille do t’iu jepje lojtarëve të Partizanit për të mos e tepruar me trajnerin e ri (qoftë edhe në formë batute)?

Ata nuk kanë nevojë për këshillat e mia, pasi me Franko Lerdën mund të bisedosh lehtë. Ai është trajner që dëgjon dhe komunikon me lojtarët, por edhe pretendon nga ata maksimumin, kryesisht në aspektin e impenjimit.

Cili është stili i tij i lojës, pasi te Partizani tha se do të vendosë pasi të shikojë grupin?

Vitin që e kisha unë trajner, kemi përdorur 2 skema loje: 4-4-2 dhe 4-3-3.

Në konferencën e prezantimit e përdori shumë fjalën “punë”. Çfarë mund të arrijë te Partizani?

Lerda është trajner që i bazon gjërat te puna. Pretendon nga lojtarët të punojnë seriozisht dhe ky është një aspekt i rëndësishëm. Besoj se ai mund të bëjë një punë shumë të mirë te Partizani dhe ia uroj, sepse është njeri i mirë, si ai dhe stafi i tij.

Trajnerët italianë nuk kanë pasur sukses te Partizani, ti si mendon rreth fatit të tij?

Po, e kam parë se trajnerët italianë që kanë punuar te Partizani nuk kanë pasur fat. Por, shpresoj që Lerda të ketë fat dhe i uroj shumë suksese te Partizani.

E nis prezantimin në Champions ndaj Karabakut, sa shanse u jep të kuqve në këtë tur?

Partizanin e pret një tur i vështirë në Champions. Por, unë mendoj se pas largimit të Ansi Agollit, Karabaku ka humbur shumë (qesh). Shpresoj që Partizani të dalë mirë, pasi do të jem shumë i kënaqur, jo vetëm për trajnerin, por edhe për Alban Hoxhën.

Sipas teje, Partizani duhet të ecë me filozofinë e trajnerëve italianë si Kombëtarja apo të vazhdonte me trajner shqiptar, pasi ishte Gega ai që i shpalli kampionë pas 26 viteve?

Partizani ka një president kompetent dhe ai i di gjërat që duhen bërë bashkë me drejtuesit e tjerë të klubit. /Panoramasport/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb