Trajneri i njohur, Ledio Pano, i ftuar në panelin e “Sport News Plus” në News 24, moderuar nga Daljana Sejdia, shprehet pas episodeve të dhunës në Kamzë, faji nuk është vetëm i Policisë që nuk gjendet në fushë, por i ligjit që nuk dënon ata që guxojnë të futen në fushë.

Nuk është faji i Policisë që nuk është në stadium, por i ligjit që nuk vepron. Ne dënojmë klube me mospjesëmarrje të gjithë tifozëve në stadium, por nuk mund ta pësojnë të gjithë nga 2-3 të papërgjegjshëm. Këtu duhen dënuar individualisht, ata që guxojnë të futen në fushë. Këto pamje janë të papranueshme në sport. Vendimi për të rikthyer Policinë duhet marrë sa më shpejt, pa humbur ndonjë jetë njeriu. Pikët e lëna sot nga Kamza, kanë rëndësinë e vet në fundit e tabelës. Po të fitonte, do kishte një moral tjetër. Me këtë barazim, besoj se Kamza është ekipi i parë që bie nga Kategoria. Duke parë edhe pikët që ka në tabelë, 8 pikë pas Gjirokastrës, janë shumë, dhe ato nerva nuk janë mbajtur më nga njerëzit në stadium.

Nëse ndjejmë që në Shqipëri ka futboll, duhet të presim derbin, që të shohim se ka tifozë në futboll. Në këtë vit jemi mësuar të luajmë shumë ndeshje pa tifozë. Atmosfera ishte elektrizuese, nga më të bukurat këtë kampionat. Bravo të dy tifozerive. Dikush në stadium thoshte se mund të dënohen tifozët se hodhën tymuese dhe flakadanë. Për mua, për sa kohë nuk ka incidente, bukuria është tek spektakli. E ndjemë që ishte derbi historik i dy ekipeve më me emër në Shqipëri.

Mesa duket, paska qenë e shkruar që Tirana të mos fitojë një derbi, për sa kohë president të jetë Gaz Demi. Kjo fjalë vazhdon akoma. Pjesën e parë, Duka dhe Mensah nuk ishin në ritmin e ndeshjes. Megjithatë, në pjesën e dytë, një rast ishte penallti, që Jorgji nuk e dha. U bë protagonist, sepse e kishte para syve penalltinë. Partizani vazhdon të luftojë për titullin, dhe është në garë. Vazhdon, edhe pse është vetëm kundër të gjithëve. Ka kundër arbitrat, dhe gjithçka bëhet e vështirë tani në fund.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb